Lorenco Vila ishte një nga më të mirët në fushë në ndeshjen e së premtes ndaj Kukësit, por i mungoi vetëm goli. Sulmuesi i Teutës ka kapur tashmë formën e dikurshme, duke lënë pas problemet e shpeshta që ka pasur me dëmtimet në periudha të ndryshme. 23- vjeçari foli edhe për ndeshjen e radhës që Teuta do të luajë për javën e pestë kundër Tiranës në transfertë.
Lorenco, vetëm barazim ndaj Kukësit, edhe pse me një lojtar për më shumë se 50 minuta…?
Të dhemb kur barazon pas një paraqitjeje të tillë. Mendoj se treguam një nivel të mirë loje, por edhe sa i përket shpirtit të garës. Nëse vazhdojmë të luajmë si këtë ndeshje, vështirë se do të humbim. Gjithsesi, na vjen keq që nuk fituam dot ndaj Kukësit, pasi mundësitë i kishim. Ishim në ekuilibër në të tria repartet, por e vetmja gjë që mungoi ishte goli.
Shumë raste të humbura, çfarë nuk shkoi?
Realisht krijuam shumë raste, e goditëm portën kundërshtare më tepër se Kukësi. Kjo do të thotë se kemi bërë një punë të mirë, por duhet ta harrojmë këtë ndeshje. Shpresoj që ndeshja tjetër do të jetë ndryshe. Jam i bindur se do të përmirësohemi në vazhdim. Goli do të vijë, edhe pse më vjen keq që ai rast në fund nuk u kthye në gol. Unë po mundohem të jap maksimumin në pozicionin tim.
Sa besim ju jep kjo Teutë për vazhdimësinë?
Stërvitemi fort dhe kemi besim te njëri–tjetri, e dimë se çfarë do të bëjë secili futbollit. Nuk kemi frikë, kemi besim shumë te vetja jonë, sidomos pas paraqitjes në këtë ndeshje të fundit. Në çdo takim duhet të japim maksimumin. Të premten luani ndaj Tiranës në kryeqytet.
Sa e vështirë do të jetë kjo ndeshje për ju?
Pa dyshim që Tirana kërkon përqendrim maksimal, pasi është një skuadër shumë e mirë dhe ka cilësi brenda. Gjithsesi, kundër tyre do të kërkojmë të ruajmë vazhdimësinë, dhe pse mos të marrim dhe fitoren e parë.
Për vetë pozicionin që është Teuta, kënaqeni me një pikë në këtë takim?
Nuk diskutohet që do të luajmë për të marrë tri pikë. Megjithatë, në fund ta fundit edhe me një pikë mund të kënaqemi, pasi përballë kemi Tiranën, kampione në fuqi. Gjithsesi, do të jetë ndeshja që do ta tregojë se sa vlejmë, duke kërkuar të kthehemi në Durrës me maksimumin. Unë uroj dhe jam i bindur që do të marrim pikë.