Lorenco Vila ka premtuar se Teuta do të rikthehet sezonin e ardhshëm edhe më e fortë, pasi në edicionin e fundit durrsakët nuk arritën të fitonin asgjë, madje mbeten edhe jashtë pjesëmarrjes në Kupat e Europës. Vila shprehet se ky ishte një sezon për t’u harruar dhe tashmë synimet janë për ta ringritur Teutën dhe për të shkuar te rruga e trofeve, duke nisur një cikël të ri triumfues.
Sa keqardhje ndieni që nuk arritët asnjë objektiv në sezonin e fundit?
Ne do të rikthehemi, jam i sigurt për këtë. Do të rikthehemi edhe më të fortë. Sigurisht, ne nuk dëshironim që të ndodhte diçka e tillë. Edhe për ne lojtarët ka qenë shumë e vështirë ta mbyllesh sezonin pa asnjë trofe, si dhe mos të merrnim pjesë në Kupat e Europës.
Prej ditësh ekipi është në pushim absolut. Ju a keni punuar individualisht gjatë kësaj periudhe apo po shijoni pushimet?
Kam qëndruar pushim për një periudhë të caktuar, pasi ishte e nevojshme. Por, stërvitjen nuk e kam lënë dhe kam vazhduar me ritme të larta për të qenë gati kur të fillojë puna për sezonin e ri.
Si e mendoni dhe shikoni Teutën në sezonin e ri?
Teuta me mbështetjen e drejtuesve ia ka dalë të fitojë të gjithë trofetë në dy vite dhe do të rikthehet sërish te suksesi. Jam i kënaqur me ambientin në klub, qytetin dhe gjithashtu shokët e ekipit. Normalisht që synimet e Teutës janë të mëdha. Dihet që klubi synon gjithmonë majat dhe objektivi do të jetë të qenit sa më lart.
Një sezon jo i mirë edhe për ju në aspektin personal, si e shihni të ardhmen?
Unë jam në kontratë me Teutën dhe do të jem bashkë me ekipin në këtë sezon për të tentuar të bëjmë mirë. Shpresoj që të bëhet një punë e mirë për ndërtimin e skuadrës dhe të kemi mundësi të formojmë një grup konkurrues. Kategoria Superiore këtë sezon do të jetë shumë e vështirë, pasi ka emra të mëdhenj ekipesh, por do të tentojmë maksimumin. Besoj që me një kalavar dëmtimesh nuk ka qenë sezoni i duhur. Por, nga ecuria e mirë rikuperuese që kam pasur, besoj se në sezonin e ri do të jem pranë ekipit për të dhënë kontributin tim.
Çfarë u premtoni tifozëve durrsakë?
Nuk jam lojtar që bëj premtime para kohe. Premtimi im i vetëm është që do të jap më të mirën, si në stërvitje, ashtu edhe në ndeshje. Të tjerat do t’ia lë fushës dhe uroj të më vlerësojnë të tjerët për atë çfarë do të bëj tek Teuta.