Teuta ka rimarrë kryesimin këtë javë dhe të enjten do të udhëtojë drejt Kamzës për përballjen me Kastriotin. Një prej lojtarëve kryesorë në ofensivën e skuadrës durrsake, Lorenco Vila, tregon edhe ndeshjet e fundit, situatën në skuadër në këtë finish të sezonit dhe mbi të gjitha, ëndrrën e tij në lidhje me Teutën.

Vila ndihet i lumtur pas fitores ndaj Bylsit, e vlefshme për javën e 32- të, që solli edhe parakalimin ndaj të kuqve të Partizanit.

Një prej protagonistëve në këtë përballje, me golin që shënoi në minutën e 74-t, flet edhe për mundësinë që Teuta të përfitojë nga derbi i kryeqytetit, por vetë Vila e “snobon” duke u fokusuar vetëm te katër sfidat që Teuta ka për të zbritur vetë në fushë.

Lorenco, fitore me vlera ndaj Bylisit dhe vendi i parë në renditje. Çfarë ndjesie është ngjitja sërish në kryesim?

Të them të drejtën e kishim vlerësuar maksimalisht këtë ndeshje dhe ai rezultat ishte falë punës që bëmë gjatë javës duke parë kundërshtarin që kishim përballë. Për këtë 90-minutësh kishim shumë pak kohë në dispozicion për ta përgatitur siç duam ne, por djemtë treguan se janë profesionistë të vërtetë. Forma e të gjithëve ishte shumë e mirë. Ne kemi një skuadër që luan me intensitet dhe nuk e humbet në asnjë moment përqendrimin. Kjo po jep frytet e veta.

Një gol “Made in Vila”. Si ishte bashkëpunimi me Emilianon që asistoi?

(Qesh…) Unë e kam thënë edhe më parë që kam fatin të luaj me Emilianon. E them këtë sepse kam mësuar shumë prej tij. Uroj dhe shpresoj të vazhdojmë të gjithë me këtë formë të mirë, me golat dhe të arrijmë te titulli kampion.

Ka diçka që ju tremb para ndeshjes në Kamzë me Kastriotin?

Jo, asgjë nuk me tremb. Siç e thashë, pres një ndeshje shumë të fortë. Nga ana jonë do të këtë një vlerësim dhe impenjim maksimal për këtë ndeshje, për vetë faktin se është shumë e rëndësishme. Kështu që nuk i trembem asgjëje. Unë kam besim, pasi ne kemi ekipin dhe lojtarët me eksperiencë, që dimë ta vlerësojmë çdo ndeshje njësoj, pavarësisht kundërshtarit.

Prisni që këtë javë të bëni shkëputje në kryesim, duke shpresuar në një rezultat të favorshëm në derbin e kryeqytetit?

Ne do luajmë një ndeshje me Kastriotin, që e ripërsëris së është shumë e fortë. Rivalët tanë përplasen me njëritjetrin, por siç përballen ato, edhe ne do luajmë ndaj ekipeve që po luftojnë për titullin dhe zonën e Europës. Për këtë arsye, nuk besoj që është avantazh fakti që ata përplasen. Unë mendoj që ne duhet të marrim tri pikët në çdo ndeshje, sepse tri pikët vlejnë njësoj si me Kastriotin por edhe me Apoloninë.

Deri në fund, vetëm këtë gjë duhet të shikojmë. Nuk duhet absolutisht që të fokusohemi fare te ajo që do të bëjnë ndjekësit tanë. Nëse ne marrim maksimumin e pikëve deri në fund, nuk kemi pse ta mbajmë mendjen të ajo që do të bëjnë rivalët tanë.

Kur mendoni se mund të vendoset titulli?

Jemi në një fazë që çdo ndeshje duhet të shikohet si finale për të arritur te titulli. Në këtë logjikë, çdo ndeshje duhet të vlerësohet njësoj dhe ka të njëjtën rëndësi për qëllimin final.

Pasi fituat Kupën dhe Superkupën, a është momenti për titullin tani?

Sigurisht që ëndrra ime ajo është. Ky është ekipi që unë jam rritur si fomi. Kur je në moshë të vogël, pra kur je fëmijë, ëndrra e parë është që të luash me ekipin e qytetit dhe më tej të fitosh gjithçka me atë skuadër. Unë po luaj pikërisht ëndrrën time me ekipin e qytetit dhe pse jo, ta fitoj titullin. Jemi akoma në kohë dhe shpresojmë që t’ia dalim.