Rinisja e kampionatit e vendos Teutën përballë një rivali shumë serioz dhe të vështirë siç është Kastrioti. Një sfidë delikate përballë një skuadre mjaft të sikletshme, e cila ka ndryshuar dhe trajnerin. Lorenco Vila ka folur në lidhje me këtë ndeshje. Ai shprehet se pavarësisht vështirësisë dhe forcës së krutanëve, Teuta do të hyjë për të fituar ndeshjen.

Lorenco, vit i ri objektiva të reja, si e shihni këtë Teutë?

Gjithmonë kur vjen vit i ri, vendosen edhe objektiva të reja. Këtë vit motivimi i skuadrës do të jetë më i madh, ne do të jemi më të fortë se një vit më parë. Do të punojmë shumë për t’u përmirësuar. E dimë që na pret një punë e vështirë, por fryma e mirë ekipore dhe gjendja e mirë e të gjithë skuadrës na jep besim se ky vit i ri do të jetë më i mirë.

Si ishte 2022-shi për ju dhe çfarë prisni nga ky vit i ri?

Ishte një ndryshim i madh për vetë faktin se erdhi edhe ftesa në Kombëtare. Ishte një vit shumë pozitiv për mua, pasi kalova një periudhë të vështirë, por tanimë ajo është e shkuar. Dua të bëj akoma më mirë në këtë gjysmë sezoni. Teuta gjithmonë i ka dhënë mundësi aktivizimi lojtarëve të rinj. Unë e shfrytëzova momentin tim dhe ja ku jam, arrita në Kombëtare dhe dua të jap maksimumin për këtë fanellë.

Si është gjendja e skuadrës në këtë fillim viti?

Kryesore është që në këtë periudhë të dytë të gjysmës së kampionatit, e kemi të gjithë grupin në dispozicion. Jemi duke u stërvitur mirë dhe jemi shumë të mobilizuar. Mbizotëron një atmosferë shumë pozitive.

Viti nis më një duel delikat ndaj Kastriotit, sa e vështirë është kjo ndeshje?

Në çdo ndeshje që kalon, rritet shkalla e vështirësisë, për vetë faktin që edhe skuadrat nuk të nënvlerësojnë. Do të jemi të kujdesshëm, pasi përpara kemi një skuadër të fortë. Do ta menaxhojmë mirë lojën nga fillimi deri në fund dhe do jemi të kujdesshëm në fazën mbrojtëse.

Duke qenë një sfidë direkte, kënaqeni edhe me një pikë?

E kam thënë shpesh se kryesorja është të luajmë futboll. E rëndësishme është të luajmë, të japim maksimumin, të jemi të përqendruar dhe ta kuptojmë se të gjitha skuadrat janë të forta. Duhet të hyjmë në fushë me synimin për të marrë tri pikët. Këtë duam të gjithë në skuadër në këtë ndeshje, pastaj rezultatin e vendos fusha.