23 prill 2015 – Kapiteni i kuqezinjve, Cana, do të bëhet baba. Ka qenë vetë Loriku, që e ka rrëfyer lajmin e bukur për familjen e porsa krijuar, se bashkëshortja e tij italiane do të sjellë në jetë fëmijën e tyre. “Fëmija është rrugës, shpresoj të mos lindë ditën e ndeshjes me Serbinë”, ka thënë Cana në emisionin “Kontrata” të Sonila Meços, raporton “Sportal.al”, duke lënë të kuptohet dëshirën e madhe të tij për të mos u penguar nga detyrimi i tij, qoftë si bashkëshort, por edhe si kapiten i Kombëtares kuqezi.
Bashkëshortja e kapitenit të kombëtares, Monika, duket se është në muajin e katërt të shtatzënisë dhe ende nuk dihet gjinia e fëmijës. Loriku u martua me Monikën vitin e kaluar, duke kaluar edhe një pjesë të pushimeve të tyre në brigjet shqiptare.
Si kundër dihet, në shtator është planifikuar edhe ndeshja Shqipëri-Serbi, për eliminatoret e Euro 2016. vetëm pak ditë më parë, më 17 prill, Cana ishte së bashku me trajnerin Gianni De Biassi në Lozanë, ku dëshmuan rreth racizmit dhe dhunës që pësuan në stadiumin e Beogradit vitin që shkoi. Gjykata e Arbitrazhit Sportiv pritet ta japë vendimin para 13 qershor.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/