24korrik 2015 – E ardhmja e kapitenit të Kombëtares Shqiptare, Lorik Cana mund të jetë në Katarin e largët, të paktën sipas mediave italiane. “Calciomercato.it” dhe “Corriere Dello Sport” njoftojnë se me siguri e ardhmja e Canës është larg Lazios dhe se do të largohet nga kryeqyteti italian pavarësisht se i mbetet edhe një vit kontratë me klubin bardhekaltër. Pas disa hipotezave mbi të ardhmen e 31-vjeçarit tani fiton gjithmonë e më shumë terren pista e Lindjes së Mesme. Aty gjithmonë duke ju referuar “Corriere Dello Sport” Canën po e kërkon me ngulm një emër i njohur i futbollit europian, Sabri Lamouchi i cili është aktualisht trajneri i klubit katariot El Jaish. Lamouchi ka qenë në të kaluarën edhe shok skuadre me Canën në sezonin 2005-2006 kur të dy ishin pjesë e Marseille në Ligue 1 franceze. Sipas mediave italiane, Cana që të Enjten u shfaq në stërvitjen e Lazios në Formello për herë të parë këtë sezon, ka fluturuar drejt Emirateve të Bashkuara Arabe për të vlerësuar ofertën. Në ditët e kaluara për Canën u fol në merkato edhe për disa skuadra gjermane ndërkohë që një opsion i përmendur shpesh është dhe ai i futbollit amerikan në Major League Soccer, ndërsa tani del në “pole position” pista e Katarit me një emër konkret El Jaish. Katari në dekadën e fundit është kthyer në një destinacion të preferuar për yjet e futbollit europian falë milionave që investohen pa kursim për të promovuar lojën më popullore në botë dhe Cana në moshën 31-vjeçare mund të shikojë aty mundësinë e një kontrate me vlerë ta lartë ekonomike.