Për afro një dekadë ka qenë ai lideri i Kombëtares shqiptare. I larguar nga futbolli i luajtur verën e kaluar, Lorik Cana mbetet një personazh unik në ambientin kuqezi. Gjithmonë i balancuar dhe i kujdesshëm kur shprehet, edhe pas një humbje katastrofale si ajo në Luksemburg. Tashmë si i jashtëm, Loriku nuk preferon të gjykojë ambientin në ekip.
Lorik Cana-Mungon ndoshta një lider në skuadër? Pyetja tjetër… Çfarë duhet të bëjë skuadra të rigjejë frymën përpara Europianit, atë që ka humbur gjatë këtyre kualifikueseve dhe u shoqërua me humbjen në Luksemburg? Duhet të vijnë gjeneratat e reja. Pikërisht atë kemi nisur të bëjmë me programin e fondacionit, në mënyrë që jo vetëm të bëhen sportista, por njerëz të mirë për shoqërinë tonë. Patjetër i ndjekim të gjitha ndeshjet e përfaqësueses, madje kur fola me fëmijët edhe ata e kishin ndjekur. Nisën të këndonin kuqezi dhe janë vetëm 4 vjeç.Fjalë që lënë hapësirë të kuptosh se ndoshta kjo ishte ishte mbyllja e një cikli për kuqezinjtë, ndërsa rreth së ardhmes së trajneri De Biasi, i lidhur me oferta nga Kina, Lorik Cana zgjedh diplomacinë.
Lorik Cana-Këto janë gjëra që duhet të vlerësohen nga personat, nga institucionet dhe nga vetë i pari trajneri. Nëse ai ka dëshirë të vazhdojë, trajneri është një person që ka dhënë shumë dhe ka mundësi të japë ende edhe shumë. Është në dorën e tij. Por, nëse ka dëshirë dhe e ndjen që duhet të bëjë eksperienca të tjera, atëherë vetëm duhet falenderuar, ti heqim kapelen dhe të ecim përpara.Ish-kapiteni nuk e bën dramë humbjen në Luksemburg, ndërsa ka besim maksimal te grupi për trasfertën e 11 Qershorit në Izrael, të vlefshme për kualifikueset e Botërorit 2018.
Lorik Cana-Skuadra ka një ndeshje të dielën dhe është e rëndësishme të jetë mirë atje. Lojtarët e dinë shumë mirë çfarë duhet të bëjnë. Jemi një skuadër që përsa i takon potencialit jemi në të njëjtin nivel me Izraelin apo edhe ndoshta më mirë. Duhet edhe pak fat. Nuk duhet të harrojmë që çdo ndeshje, çdo pikë, çdo ftore është e rëndësishme. Pavarësisht nëse kualifikohemi, pozicionohemi të dytët apo të tretët nuk ka rëndësi… E rëndësishme është që të bëjnë më të mirën dhe kam shumë besim te lojtarët të dielën.Kujtimet nga 13 vitet e kaluara si kuqezi kanë qenë fantastike. Loriku mbetet tifoz i Kombëtares, me vëmendjen të kthyer nga brezat e rinj.Lorik Cana-Kur kam qenë pjesë e skuadrës kam qenë i lumtur, pasi janë djemë fantastikë dhe të mrekullueshëm. Jam me fat që kam qenë pjesë e Kombëtares, sepse gjithçka e kemi bërë bashkë. Jam ndjerë shumë krenar që i kam udhëhequr dhe kemi pasur marrëdhënie të jashtëzakonshme. Tani Loriku e ka bërë pjesën e tij dhe do vazhdoj ta mbështes Kombëtaren, si gjithmonë, por kam nisur një punë të re, për ti mundësuar gjeneratave të reja të rriten me vlera më të mira.