Ndërsa e ardhmja futbollistike e Lorik Canës mbetet ende e pasigurt, ish-kapiteni i përfaqësueses shqiptare e di se ku do të jetë në fillimin e muajit shtator.

Ai do të jetë një përfaqësues i Shqipërisë, jo në grumbullimin e kuqezinjve për ndeshjen me Maqedoninë, por si pjesë e delegacionit shqiptar të ftuar në Vatikan për shenjtërimin e Nënë Terezes. Cana e bëri të ditur këtë zhvillim të fundit nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale. 

“Me kënaqësi pranova ftesën zyrtare për të marrë pjesë në evenimentin për shenjtërimin e Nënës Terezë më datën 3 shtator në Vatikan. Shenjtërimi i saj, si simbol në zemrat e të varfërve dhe si simbol i kombit tonë, na bën krenar për origjinën tonë dhe ndjenjën tonë qe kemi për solidaritet dhe respekt ndaj të tjerëve”, shkruan Cana.