Lorik Cana ka nisur kursin për t’u bërë trajner, ndërkohë që në Greqi raportojnë se Olimpiakosi është gati të bëjë një ofertë për ish-kapitenin e Kombëtares shqiptare. E ardhmja e tij është në dilemë.Kapiteni legjendar i Kombëtares shqiptare vendosi ta mbyllte aventurën e tij me fanellën kuqezi, pas përfundimit të Kampionatit Europian, por është ende në dilemë për t’i dhënë lamtumirën futbollit apo jo.Përpara disa ditësh, ai reagoi dhe shpjegoi gjithçka po ndodh gjatë kësaj kohe. Ai tha se i duhet pak kohë për të marrë vendimin përfundimtar mbi karrierën e tij.Gjatë këtyre ditëve Cana ka qenë prezent në kryeqytet. Mbrojtësi 33-vjeçar ka nisur kursin për të marrë licencën për t’u bërë trajner. Gjatë kohës që ai nuk ka impenjime me një skuadër futbolli, ka vendosur ta kalojë kohën duke marrë leksione për t’u bërë trajner.

Skuadra greke ka bërë një merkato jo shumë të mirë dhe mediat në vendin fqinj raportojnë se ka një ofensivë për të arritur akordin me ish-kapitenin Lorik Cana. “Sportdog.gr” raporton se gjatë kësaj kohe që lojtari nuk është nën kontratë me skuadrat e tjera, ka shumë mundësi të futet në bisedime me klubin e njohur grek.Problem i madh mbetet vetëm paga e lartë që kërkon futbollisti, sipas sajtit grek. Bëhet fjalë për 700-800 mijë euro në sezon, por Olimpiakosi për momentin nuk është gati të ofrojë këtë shumë për Canën. Gjatë kësaj kohe do të ketë bisedime me futbollistin shqiptar për të pasur një reduktim të pagës së tij.

Cana është në udhëkryq për të ardhmen e tij, por gjatë kësaj kohe është duke marrë të gjithë kohën e nevojshme për të marrë vendimin e duhur. Familja e tij luan një rol shumë të rëndësishëm në vendimin që do të marrë ish-numri pesë i kuqezinjve.