1700 studentë të universitetit “Aleksandër Moisiu” e patën mbrëmjen e së premtes një nga më të rëndësishmet e jetës së tyre.

Pas vite studimesh, ata kurorëzuan mbrëmë ëndrrën e tyre, diplomimin.

Për rektoren e UAMD-së, Kseanela Sotirofski, ata janë ambasadorët më të mirë të universitetit.

E pranishme në ceremoninë e diplomimit të organizuar në sheshin “Liria” ishte dhe ministrja e arsimit Evis Kushi, e cila gjatë fjalës së saj nuk harroi t’u kujtojë studentëve se vitet e tyre të shkollës së lartë u dominuan nga dy kriza te mëdha, siç ishte pandemia Covid-19 dhe konflikti Ukrainë-Rusi.

Sipas kreut të dikasterit të arsimit, këto e bëjnë këtë diplomim edhe më të veçantë dhe për këtë arsye ajo u kërkoi studentëve që t’i shërbejnë vendit.

Ndërsa për kryetaren e bashkisë Emiriana Sako lidhja e fortë që ekziston mes pushtetit vendor dhe UAMD-së do të thellohet më tej.

Gjatë ceremonisë së diplomimit u nderuan me çertifikata mirënjohjeje 5 studentët ekselentë të UAMD-së, të cilëve ju dhurua edhe nga një laptop.

Në fund, hedhja e kapeleve në ajër solli shumë lot gëzimi e përqafime, mes miqve e familjarëve për vitet që u lanë pas e shumë të tjera që i presin përpara.

M.B.