Tiranë, 14 gusht 2014 – Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka njoftuar sot për të gjithë të përzgjedhurit e Programit të Vizave të Lotarisë DV-2014, se afati i fundit i lëshimit të vizës është data 30 shtator 2014.
Sipas njoftimit të faqes zyrtare të ambasadës, vizat për aplikantët e DV-2014, nuk mund të lëshohen pas datës 30 shtator. E njëjta gjë është e vlefshme edhe për bashkëshortet dhe fëmijët e aplikantëve kryesorë, viza e të cilëve duhet të jetë lëshuar deri në 30 shtator 2014.
Sipas njoftimit, aplikantët nuk duhet të marrin si të mirëqenë se do të ketë numra vizash të DV-2014 në dispozicion gati për lëshim. Për disa rajone dhe shtete, numrat e vizave DV, mund të mbarojnë përpara datës 30 shtator 2014.
Aplikantët që kërkojnë nga Seksioni Konsullor ricaktim të datës së intervistës së tyre një muaj më pas, rrezikojnë të humbin shansin për të marrë vizë. Gjithashtu, aplikantët që paraqiten në intervistë pa i pasur të gjitha dokumentet dhe formularët e kërkuar, dhe që i dorëzojnë dokumentet e kërkuara pas një muaji, mund të përballen me faktin që të mos ketë më numra vizash për ta.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





