19 nëntor 2013- Bileta fituese e makinës së parë promocionale të dhuruar nga Lotaria Kombëtare është plotësuar në Gosë të Kavajës. Fituesja tregon emocionet e para dhe thotë se do të luajë gjithmonë. Surprizat vazhdojnë edhe këtë javë në Loto "6 nga 39". Mbrëmja e së dielës në Loto "6 nga 39" ka sjellë edhe fituesin e parë të makinës promocionale të dhuruar nga Lotaria Kombëtare. Bileta fituese është plotësuar në Gosë Qendër të Kavajës nga zonja Manushaqe. Nga mbrëmja e së dielës zonja Manushaqe Menella është bërë pronarja e një makine "Volkswagen Jetta" me 0 kilometra, të cilën siç thotë edhe vetë fituesja jonë, do ta mbajë për vete. Ndërkohë, promocioni i Lotarisë Kombëtare vazhdon ende. Këtë të diel njëri prej nesh do të bëhet pronari i makinës së dytë, që dhurohet nga Lotaria Kombëtare. Promocioni vazhdon deri më datë 1 dhjetor, ku do të dhurohet dhe një makinë surprizë.
Fituesja
Sot ne arritëm që të kontaktojmë me zonjën që mban biletën fituese dhe që tashmë është pronare e makinës së dhuruar nga Lotaria Kombëtare. Zonja Manushaqe Menella është ende e emocionuar nga ajo që i ka ndodhur dhe gëzimi duket haptazi në fytyrën e saj. E gjejmë duke qeshur dhe e vetmja gjë që thotë është sa e lumtur ndihet. "Ishte një fitore shumë e madhe. Jam gëzuar tej mase. Kur u shfaqën numrat në ekran, nisa të bërtisja me të madhe. Po bërtisnim familjarisht së bashku me bashkëshortin dhe dy vajzat e vogla. Edhe tani më vjen të bërtas nga gëzimi", – thotë Manushaqja.
Ajo tregon se familja e saj është pjesëmarrëse e rregullt në Loto "6 nga 39" dhe se zakonisht biletat i ka plotësuar i shoqi. "Bashkëshorti im luan gjithmonë. Ditën e shtunë unë kisha dalë për të bërë pazar dhe i thashë burrit që do të plotësoja një biletë lotarie, sepse kisha parë që mund të fitohej edhe një makinë. Kur shkova në dyqan, mora një skedë të Loto '6 nga 39' dhe nisa ta plotësoja. Ia dorëzova shitësit, Durimit, dhe më dha mbrapsht biletën. Me këtë biletë në dorë ndoqa shortin dhe kur dolën në ekran numrat e promocionit shtanga nga gëzimi dhe më pas nisa të festoja. Edhe kur erdhëm në zyrat e Lotarisë Kombëtare në Tiranë nuk po na besohej, ishte si një ëndërr", – tregon e emocionuar Manushaqja. Ajo jeton së bashku me të shoqin dhe dy vajzat, të cilat janë në klasën e katërt dhe klasën e parë fillore. Kjo është makina e parë në shtëpinë e familjes Menella dhe fituesja jonë ka vendosur ta mbajë vetë. "Makinën do e mbaj unë, nuk do ia jap burrit", – thotë Manushaqja duke qeshur. Ajo thotë se do të vazhdojë të luajë gjithmonë dhe se tashmë është e bindur që do të fitojë sërish. "U them të gjithë shqiptarëve që të luajnë dhe i uroj: U bëfshi të gjithë fitimtarë. Të gjithë kanë fat, vetëm duhet ta provojnë", – është apeli i saj për publikun.
Promocioni vazhdon
Promocioni në Loto "6 nga 39" nuk mbaron me kaq, por vjen pranë shqiptarëve me shumë surpriza të tjera. Një makinë u fitua këtë të diel, por vazhdojnë dhuratat e tjera. Të gjitha parashikimet e luajtura për shortin e datës 24 nëntor të Loto "6 nga 39" do të hidhen në sistemin kompjuterik të lojës. Në momentin që do të përfundojë shorti, sistemi do të përzgjedhë automatikisht njërin nga parashikimet pjesëmarrëse, bazuar vetëm në numrin e biletës. Ky numër ndodhet i printuar në fund të biletës me mbishkrimin "numri i biletës" dhe përbëhet nga 10 shifra. Bileta e përzgjedhur do të jetë menjëherë fituese e një makine të re me 0 kilometra. Secili parashikim ka një mundësi të jetë fitues. Nëse një lojtar ka plotësuar 12 parashikime në një biletë, ai ka 12 mundësi për të fituar. Pra, sa më shumë parashikime që të luani, aq më shumë rriten shanset tuaja për të fituar çmimet e Lotos, por edhe makinën.
Shorti i datës 1 dhjetor 2013 do të jetë edhe më i veçantë dhe fituesi fatlum do të marrë makinën surprizë. Mundësinë për ta fituar këtë makinë nuk do ta kenë vetëm lojtarët që do marrin pjesë në shortin e kësaj jave, por të gjithë lojtarët që kanë marrë pjesë në promocion. Të gjitha parashikimet e plotësuara nga data 11 nëntor deri më datë 1 dhjetor do të marrin pjesë në përzgjedhjen e fituesit të makinës së fundit. Fitues mund të jetë edhe një nga lojtarët që ka luajtur në javën e parë të promocionit, gjithçka është vetëm në dorë të fatit. Për këtë arsye është shumë e rëndësishme që të gjithë lojtarët të ruajnë biletat e tyre gjatë të tri javëve.
Berat
Fitohet çmimi i dytë në Loto, dy milionë lekë
Një biletë e plotësuar në qytetin e Beratit ka arritur të parashikojë saktë 5 numrat e shortit të ditës së diel në Loto "6 nga 39", duke fituar më shumë se dy milionë lekë. Në rast se fituesi ynë do të kishte arritur të parashikonte saktë edhe numrin e gjashtë, atëherë do të kishte marrë shumën rekord të 265 milionë lekëve. Ky është edhe çmimi më i madh i vënë ndonjëherë në dispozicion të fituesve nga një kompani lojërash fati në Shqipëri. Këtë javë në Loto "6 nga 39" ka pasur pothuajse 17 mijë fitues të kategorive të ndryshme, të cilët kanë përfituar në total rreth 24 milionë lekë.
/ BalkanWeb /





