Mesfushori barazilian Casemiro u largua nga Real Madridi drejt Manchester United, pasi fitoi gjithçka në karrierë me “Los Blancos”, për të provuar një eksperiencë të re.

32-vjeçari shijoi një periudhë të suksesshme nëntëvjeçare në “Santiago Bernabéu” përpara se të largohej për te United për 60 milionë sterlina në gusht të vitit 2022.

Largimin e tij nga Madridi e përjetuan keq, veçanërisht trajneri Ancelotti.

“Transferimi te United u krye me përjashtim të nënshkrimit tim. Njerëzit e dinin që ishte bërë. Shkova të flisja me Ancelottin. Hyra në zyrën e tij dhe ai tashmë e dinte. Hapa derën dhe kur u ktheva drejt tij, Ancelotti po qante. Unë i thashë: ‘Nuk mund të qash. Askush përveç teje’. Më tha: Nuk e di pse po qaj, por të dua shumë dhe nuk dua që të largohesh”, zbuloi braziliani, i cili më pas shpjegoi se ky ishte momenti kur ai e vendosi në pikëpyetje kalimin te United.

“Ky ishte momenti që dyshova për zgjedhjen time. Kuptova se sa njerëz më donin atje, por unë e kisha dhënë fjalën time dhe fjala ime është më e rëndësishme se çdo gjë tjetër. Doja të provoja diçka të re te Man United, por unë ende po e mbështes Realin dhe vuaj gjatë ndeshjeve kur luajnë ata. Unë gjithmonë do ta dua Real Madridin, është pjesë e jetës sime”, tha Casemiro për emisionin “El Chiringuito”.