Nga Gladiola Busulla JORGOLLARI
Nëpërmjet romanit “Lotët e zambakut”, Shpendi Topollaj na ofron një udhëtim intelektual, kulturor dhe shpirtëror në retrospektivë. Duke marrë në duar këtë libër, subkoshienca jonë blen një biletë drejt ish-Bashkimit Sovjetik. Miti i Penelopës, i Odiseut dhe i Telemakut rikthehet në forma të tjera, brenda kuadrit të një kohe tjetër, që kushtëzon ndjenjat dhe përcakton fatet e individëve.
Letra e Lilës mund ta analogojmë me të famshmen letër të së panjohurës së Cvajgut. Aty ne ndeshemi me të njëjtat emocione, me të njëjtin sinqeritet, me të njëjtën dhembje. Gjithashtu dhe Lila largohet me një kujtim të jashtëzakonshëm nga dashuria e saj: një fëmijë gjysmë shqiptar-gjysmë letonez.
Luftari është heroi që i mbijeton dramës së brendshme shpirtërore dhe familjare që i krijohet nga absurditeti i kohës. Lumi Dvina rrjedh në venat e tij si një kujtim i pashlyer, ashtu siç rrjedh dhe gjaku i tij në venat e Edit. Emri i Lilës na sjell ndërmend fjalën (fleure de lis)- lulen e Virgjëreshës Mari, zambakun, simbolin e dlirësisë.
Lila- Luftar, një dashuri që duhej të shndërrohej në epokë, por që mbeti histori. Ajo çeli si një lule e brishtë, e parakohshme që s’mund të mbijetonte e ngujuar, larg diellit dhe lirisë. Përzgjedhja e emrave të personazheve nuk është asnjëherë e rastësishme; ndodh që brenda tyre të fshihet anagrama që dekodifikon krejt veprën artistike.
Gjendja shoqërore e amullt, ndikimet në jetën e secilit prej personazheve zbulojnë në trajta lirike realitetin shqiptar të kohës. Leximi i këtij romani është një proces i thjeshtë që bëhet duke ndjekur fabulën dhe njëkohësisht duke iu referuar kohës konkrete historike. Brenda këtij romani janë ndërfutur ngjarje të rëndësishme të cilat sjellin në mënyrë aktuale shëmbëlltyrat përkatëse të karaktereve të periudhës totalitariste. Në mes të spiunëve, hipokritëve, servilëve jetonin dhe oficerë të ndershëm, të virtytshëm, të arsimuar të cilët u shndërruan në viktima të demagogjisë komuniste. Ndonëse cënohen, ata nuk e humbasin dinjitetin. Vlerat e tyre morale nuk zvetënohen duke mbetur kësisoj, luksi i vetëm që ata zotërojnë. Ne ndihemi shumë pranë këtij libri dhe në këtë fakt ndikon drejtpërsëdrejti formimi letraro-kulturor i shkrimtarit.
“Lotët e zambakut” është një roman që ngrihet mbi motivin e ndarjes. Kjo e fundit shfaqet me tërë kompleksitetin e saj.
I madhi Kadare shprehet drejt kur thotë “Të ndërtosh një piramidë është më e thjeshtë se të ndërtosh një ndarje për të qenë”.
Romani paraqet qartësisht ndarjen politike të Shqipërisë nga kampi socialist, ndarje që reflektohet në shumë sfera të jetës së asaj kohe. Ajo që lëndoi më shumë ishin shkëputjet definitive të lidhjeve midis njerëzve të dashur. Këtë fat tragjik përjetuan heronjtë e romanit të analizuar. Derivat i largimit nga njëri-tjetri s’qe harrimi, por dhembja e pakufishme, konsolidimi i ndjenjave dhe ndërgjegjësimi se jeta vazhdon, pavarësisht nga gjithçka. Ky roman lë mbresa në vetëdijen e çdo lexuesi dhe shërben si një shtytës që nxit botën shpirtërore të gjithësecilit.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





