Brazil, 13 korrik 2014 – “Në një finale Botërori nuk ka favoritë. Suksesi 7-1 ndaj Brazilit nuk ka asnjë rëndësi”.

Riniset nga zero pa menduar shumë për fitoren e madhe kundër të zotëve të shtëpisë, kërkon të mbajë lart vigjilencën e futbollistëve të tij, Joachim Low, që në një ndërhyrje të shkurtër për radion gjermane “Ard”, shpjegon se me çfarë mentaliteti duhet ta përballojnë finalen kundër Argjentinës djemtë e tij.

“Argjentinasit janë shumë të rrezikshëm, kanë fituar me diferencë të ngushtë disa sfida, 1-0, 2-1, me penallti, duke pësuar shumë pak gola. Kanë një mbrojtje të shkëlqyer dhe në përgjithësi janë një formacion shumë agresiv, – shpjegon Low që shton, – Në këtë përballje na presin shumë, por shumë më tepër intriga në krahasim me gjysmëfinalen”.

Gjermania ndodhet tanimë në Rio De Janeiro ku do të luajë finalen e madhe me Joachim Low që ka në dispozicion të gjithë grupin me përjashtim të një lojtari, pikërisht futbollistin me origjinë shqiptare, Shkodran Mustafi.

/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/