Trajneri i kombëtares gjermane Joachim Low ka deklaruar sot për mediat gjatë një interviste se nuk ka ndërmend të braktisë ekipin për të drejtuar skuadrën e Bayern Mynih sezonin tjetër sportiv 2018-2019, pas Botërorit.

Verën e ardhshme do të zhvillohet Kupa e Botës në Rusi, me Gjermaninë që shkon si pretendente dhe kampione në fuqi. Kohët e fundit, pas largimit të Carlo Ancelotti nga stoli i ekipit bavarez u përfol se vendin e tij mund ta zinte pikërisht Low, por 57-vjeçari ka deklaruar se nuk ka dëshirë të ndryshojë skuadër, për të lënë kombëtaren për një ekip klubi.

Kjo deklaratë e trajnerit gjerman erdhi pas zërave të Oliver Bierhoff, menaxherit të kombëtares, se largimi i Low është i mundshëm.

Por trajneri ka refuzuar këtë transferim, duke qenë se ai ka një kontratë me kombëtaren gjermane deri në vitin 2020.

“Këto zëra janë një vlerësim për punën time, por mbeten thashetheme, pasi unë kam një kontratë. Dikur kam thënë se më pëlqen të drejtoj një skuadër, pasi më pëlqen puna e përditshme e trajnimit. Por jam mirë këtu ku jam, përpara kam Kupën e Botës në Rusi dhe kam një kontratë që dua ta resopektoj, deri në 2020-ën”, tha Low.