TIRANE- Demokratët rrëzuan dje me 69 vota kundër kërkesën e Partisë Socialiste për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për veprimtarinë e organeve shtetërore lidhur me lëvizjet e popullsisë në Qarkun e Kukësit. Kërkesa e socialistëve mori 62 vota pro, përfshirë edhe tri votat e deputetëve të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Metës, Lefter Kokës dhe Nasip Naços. Ndërsa deputeti tjetër i kësaj force politike, njëherazi ministër i Shëndetësisë, Vangjel Tavo abstenoi. 

Me anë të një njoftimi për mediat, drejtori i informacionit në LSI, Emiljano Aleksi bëri të ditur se “LSI është pro nismës së komisionit sepse LSI gjithmonë ka qenë pro transparencës, ndaj edhe në këtë rast LSI tregoi që për shpërndarjen e mandateve të kishte më shumë transparencë. Më e argumentuar dhe më e plotë dhe më transparente duhet të ishte dhe mënyra se si është bërë mbrojtja e kësaj shpërndarje mandatesh. Njëkohësisht LSI gjykon se heqja e një mandati nga Berati do të ulë vëmendjen ndaj këtij Qarku për të thithur investime”, – bëhej e ditur në këtë njoftim. Ndërkohë kreu i grupit kuvendor të PS-së, Gramoz Ruçi duke folur në seancë tha se me “tre apo katër mandate në Kukës, mazhoranca e sotme do të humbasë në zgjedhjet e ardhshme”. Në replikë me të homologu i tij demokrat, Astrit Patozi tha se PD do votonte kundër nismës së PS me argumentin se kërkesa e saj ishte anti-ligjore. 

Nga ana tjetër deputeti i LSI-së, Nasip Naço në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, duke sqaruar votën pro nismës së PS-së deklaroi mes të tjerash se “ne nuk jemi të bindur se kjo ndarje mandatesh që propozohet është më e drejta. Shto këtu faktin se PS nga ana e saj ka ngritur një sërë pretendimesh për një shtim fiktiv të popullsisë në Qarkun e Kukësit ndaj për të hequr çdo hije dyshimi ne e mbështetëm këtë nisëm. Kam bindje se ka një rritje fiktive të votuesve e se kjo bëhet për efekte elektorale. 
 

Z.Naço përse LSI bashkoi votat me PS, në mbështetje të kërkesës së saj për ngritjen e një komisioni hetimor parlamentar për çështjen e “Kukësit”?

Sepse ne nuk jemi të bindur se kjo ndarje mandatesh që propozohet është më e drejta. Shto këtu faktin se PS nga ana e saj ka ngritur një sërë pretendimesh për një shtim fiktiv të popullsisë në Qarkun e Kukësit ndaj për të hequr çdo hije dyshimi ne e mbështetëm këtë nisëm. 
 

Pra edhe ju i mbështesni dyshimet për një rritje fiktive të popullsisë në Qarkun e Kukësit?

Personalisht po! Kam bindje se ka një rritje fiktive të votuesve. 
 

Sipas jush për çfarë qëllimi?

Kam bindjen se kjo bëhet për efekte elektorale. 
 

Ndryshe nga ju, z.Meta dhe z.Koka, deputeti tjetër i LSI-, z.Tavo abstenoi. Për çfarë arsyesh?

Z.Tavo është deputet i LSI por është edhe ministër.