Të majtët kundër propozimit të shoqatës “Çamëria”
Fryrja e organikës së bashkisë, të djathtët largohen nga salla e Këshillit Bashkiak
Debati për çështje që kanë të bëjnë me krijimin e një strukture të re sociale të mirëmbajtjes së bazës sociale në Bashkinë e Durrësit, si dhe shtesat e tjera në organikë kanë qenë pjesë e debatit në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak për këtë vit. Ndonëse të djathtët kanë kundërshtuar votimin pa shumicë të cilësuar, të majtët pasi kanë marrë dhe votat e LSI-së (në votimin për shtim në organikë të një mjeku) kanë kaluar këtë pikë me 20 vota pro dhe 16 kundër. Ky fakt është shoqëruar me reagimin e të djathtëve që kanë braktisur sallën e Këshillit Bashkiak, duke kërkuar votim me shumicë të cilësuar si dhe shqyrtimin e çështjes së miratimit të shtesave në organikën e bashkisë, pas miratimit të paketës fiskale ku do të zbardhet dhe buxheti konkret në dispozicion. Ndërkohë në mbledhjen e fundit të Këshillit Bashkiak të Durrësit është miratuar edhe lista e personave që përfitojnë kredi të lehtësuara për strehim, kredi prej së cilës kanë përfituar 108 persona.
Po kështu janë dhënë titujt “Qytetar Nderi” për Myzemil Osmanin, profesor matematike dhe autor tekstesh, Niko Profkolën ish sportist i famshëm, profesor dhe figurë e njohur në Durrës dhe Feruz Matajn të njohur për kontributet e dhëna në qytetin e Durrësit. Interesant ka qenë fakti se të majtët nuk kanë votuar për dhënien e titullit “Qytetar Nderi” për Myzemil Osmanin të propozuar nga Shoqata “Çamëria” me pretendimin se nuk është figurë e njohur. Ky mosmiratim nga këshilltarët e majtë ka shkaktuar reagim në komunitetin çam që e vlerëson lart figurën e Myzemil Osmanit. Në mbledhje ka mbetur pa u shqyrtuar një nga pikat, e cila ishte shkak për bllokimin e mbledhjes së kaluar të Këshillit Bashkiak të Durrësit, ajo e këshillit të ri të kulturës, që ishte dhe pika e fundit për t'u shqyrtuar. Siç dihet të djathtët kërkuan një relacion të imtësishëm përsa i përket punës së këshillit kulturor, kërkesë që u plotësua para zhvillimit të mbledhjes së fundit.