TIRANË- Kreu i LSI, Ilir Meta ka refuzuar në mënyrë indirekte ftesën e PS-së për bashkëpunim. Meta duke folur gjatë mbledhjes së parë të kryesisë së LSI tha se nuk mund të bëhet palë me asnjë forcë politike, pasi forca e tij politike është për të zgjidhur probleme dhe jo për ti shtuar ato.
“Ndaj me këtë rast, duke iu uruar të gjithëve ju dhe përmes jush të gjithë anëtarë dhe simpatizantët tanë por edhe të gjithë qytetarët tanë dua të shpreh, besoj edhe në emrin tuaj dhe të gjithë anëtarësisë sonë, angazhimin e Lëvizjes Socialiste për Integrim për t’i shërbyer stabilitetit të vendit, për t’i shërbyer forcimit të institucioneve dhe reformimit të mëtejshëm të tyre, për t’i shërbyer integrimin europian si mundësia e vetme dhe e padiskutueshme për të garantuar prosperitet për të gjithë shqiptarët. Në këtë kontekst dua të nënvizoj vendosmërinë tonë për të mos u bërë palë me askënd dhe kundër kurrkujt të çdo lloj konflikti absurd dhe politik, por për të qenë gjithmonë një alternativë me kërkesa më të larta ndaj vetes dhe njëkohësisht me kërkesa më të larta për perspektivën e vendit dhe të mbarë qytetarëve tanë. Ne do të jemi të angazhuar për të rritur standardet e komunikimit publik dhe politik dhe për ta orientuar politikën drejt zgjidhjes së problemeve dhe jo drejt krijimit të problemeve të reja apo riaktivizimit të plagëve të vjetra të politikës shqiptare. ”,- u shpreh Meta, teksa uroi anëtarët më të rinj të konventës.
Meta i ka bërë apel partive politike në vend, vecanërisht PD-PS që të gjejnë gjuhën e bashkëpunimit me qëllim votimin e 3 ligjeve para zgjedhjeve parlamentare të viti 2013. Kreu i LSI-së tha se do ishte e pafalshme nëse Shqipërisë i refuzohet sërish statusi i vendimit kandidat.
“Ndaj e gjej këtë mundësi në këtë takim të parë publik për të apeluar edhe ndaj të gjithë forcave të tjera politike parlamentare, veçanërisht ndaj dy forcave kryesore aktuale në Parlament, Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste për të bërë gjithçka që mundet për të maksimalizuar të gjitha energjitë pozitive që kanë për t’i dhënë mundësi vendit të ketë statusin e vendit kandidat përpara këtyre zgjedhjeve. Ne do të bëjmë gjithçka që mundet nga ana jonë por duhet që edhe secili të marrë përgjegjësitë e tij sepse është koha për të marrë përgjegjësi dhe është koha për të mundësuar që vendi të bëjë një hap të madh përpara sepse e ka merituar prej kohësh shoqëria jonë dhe shqiptarët tanë.”, apeloi Meta.
Topi: FRD do bëjë koalicion mbi bazën e vlerave dhe parimeve
Kreu i FRD-së Bamir Topi nga Kruja paralajmëroi se partia që ai drejton do të bëjë koalicion për zgjedhjet e viti 2013 vetëm mbi bazën e vlerave dhe parimeve. Ish-presidenti i Shqipërisë nënvizoi se çështja kombëtare është përparësi e FRD-së, ndërkohë që ekonomia dhe mirëqenia e qytetarëve është përparësi.
LSI, Manjani: Oferta e Ramës për koalicion nga "Twitter", jo serioze
Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ylli Manjani ka reaguar sot pas ftesës së kryesocialistit Rama për një koalicion të mundshëm në zgjedhjet e 23 qershorit. Sipas Manjanit, oferta e ardhur nga "Twitter"-i nuk është serioze.
“LSI nuk ka ende një qëndrim zyrtar për koalicionet, edhe pse mund të them që ne nuk kemi ndaluar koalicionin. Por oferta e bërë nga Rama nëpërmjet "Twitterit" nuk ishte serioze”, ka komentuar Manjani.
Manjani, duke iu referuar idesë së Ramës se është i nevojshëm koalicioni për të luftuar Berishën e vjetër, tha se “në politikë nuk ka armiq”.
Sipas tij, koalicioni duhet të ngrihet me bazë vlerash. “Ne nuk jemi ushqim për PD dhe PS. Koalicioni në vitin 2009 me PD ishte i sforcuar, por solli stabilitet politik”, nënvizoi ai.
Biberaj: FRD nuk bën koalicion me PD, PS e LSI
Nënkryetari i Frymës së Re Demokratike, Aleksandër Biberaj, në një prononcim për mediat deklaron se forca politike që ai përfaqëson nuk do të hyjë në koalicion në zgjedhjet e 23 qershorit me LSI, PS dhe as PD.
Me këtë deklaratë duket se Biberaj i është përgjigjur edhe ftesës së kryesocialistit Rama, i cili dje në një konferencë në "Twiter" ftoi FRD dhe AK për një koalicion në zgjedhje.
Sipas Biberaj, FRD kërkon mbrojtjen e votës, prandaj shton se, pikërisht për këtë çështje mund edhe të diskutohet.