Lëvizja Socialiste për Integrim, në mbledhjen e kryesisë së kësaj force politike ka shpallur zyrtarisht garën për kreun e ri të kësaj partie. Për këtë post garon Ilir Meta dhe Luan Rama. Në fjalën e tij, kreu i saj Ilir Meta vlerësoi rolin e LSI-së në dobi të stabilitetit të vendit por edhe për proceset integruese.

"Po shkojmë drejt një procesi të rëndësishëm për LSI-në jo vetëm për ridimensionimin e saj të mëtejshëm, por edhe për gjithë politikën në vend, ku LSI luan një rol të rëndësishëm, përcaktues në dobi të stabilitetit të vendit, në dobi të reformave që duhet të vijojnë me insistim që perspektiva europiane e vendit të vijë duke u përshpejtuar”, theksoi Meta.

Ai gjithashtu nënvizoi se përmbushja e reformave është mënyra më e mirë për përshpejtimin e proceseve integruese të vendit. Nga ana e tij sekretari i përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama ritheksoi qëndrimin e tij se nuk kandidon për të mundur Ilir Metën, por që LSI të fitojë zgjedhjet e 2013-ës, ndërsa shtoi se duhet të zhvillohet një garë transparente dhe  jo me debate jashtë korridoreve.

“Ju falënderoj se duke pranuar kandidimin tim në këtë fazë të rëndësishme, ku gjendet LSI. Unë mund të ofroj një kontribut më shumë, që vlera jonë që lidhet me funksionimin demokratik, të shpaloset në këto zgjedhje me një vlerë dhe dimension tjetër me synimin të ruajmë gjithçka të mirë që ka bërë LSI që në themelimin e saj. Duhet të mos kënaqemi me kaq, por të ridimensiojmë rolin e saj me sfidat e afërta siç janë zgjedhjet e vitit 2013”, shtoi Luan Rama.