Pas denoncimit në Facebook nga deputeti i LSI-së, Endrit Braimllari se drejtori i Drejtorisë së Ujitjes dhe Kullimit për rajonin Korçë-Elbasan-Berat, rezulton fajtor me një vendim të formës së prerë, ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Niko Peleshi, vendosi largimin e tij të menjëhershëm nga detyra.
Në një reagim për mediat, ministri Peleshi sqaron se Ministria e Bujqësisë nuk ka pasur dijeni për dënimin e Nexhip Merollit me burg nga gjykata e Korçës me akuzën e falsifikimit.
"Qeveria e Shqiperisë s’ka pasur, s’ka dhe s’do të ketë asnjë lëkundje në mbrojtjen e pastërtisë së figurës, së çdo zyrtari në varësinë e pushtetit ekzekutiv. Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, falënderon dhe inkurajon çdokënd që hedh dritë mbi fakte të kësaj natyre, në funksion të moscenimit të figurës së zyrtarit të shtetit nga asnjë hije e të shkuarës në raport me ligjin", thuhet në reagimin e ministrit të Bujqësisë.
Shkresa për emërimin e Nexhip Merollit si drejtor është firmosur nga ministri i Bujqësisë Niko Peleshi dhe mban datën 21 dhjetor 2017. LSI publikoi dënimin e Nexhip Merrollit me 6 muaj burg për falsifikim.





