TIRANE, 09 mars 2013– Lëvizja Socialiste për Integrim tërheq sërish vëmendjen e klasës politike shqiptare, duke kërkuar që çështja e integrimit të kthehet në argumentin parësor dhe të konsiderohet si një detyrë kombëtare.
Në një konferencë për shtyp nga selia e LSI-së, Petrit Vasili u bëri thirrje partive politike të tentojnë konsensusin për miratimin e 3 ligjeve të nevojshme për sigurimin e statusit kandidat për vendin. Sipas Vasilit, politika duhet të demonstrojë se flet me zërin e qytetarëve, përmes miratimit të 3 ligjeve.
“Konstatojmë për fat të keq që integrimi nuk po konsiderohet një argument parësor por rutinor në retorikën politike. Nuk po konsiderohet një detyrë kombëtare, por po konsiderohet gjithnjë e më tepër një argument si gjithë të tjerët, një argument elektoral dhe jo i qenësishëm që ka të bëjë me të ardhmen e Shqipërisë. Ne do të tërheqin vëmendjen për ndryshimin total, konsiderimi i saj si çështje madhore ku të gjithë duhet të kontribuojnë. Kërkojmë vëmendje të shtuar ndaj apeleve insistente dhe të qarta, jo vetëm të Europës, por edhe të SHBA. E gjithë politika duhet të ulet në tryezë dhe të harrojë 23 qershorin, duke kuptuar se integrimi shkon përtej 23 qershorit pasi është një moment kyç në jetën dhe historinë e shqiptarëve. Integrimi është aspiratë e 93% të shqiptarëve dhe kërkon përgjigje. Çështja e integrimit të rivendoset në tavolinë dhe të bëhen kompromiset e nevojshme që kjo çështje të ecë dhe ta shkëpusim problemet elektorale.”- u shpreh Vasili.
Ndër të tjera Vasili theksoi se “LSI do të vazhdojë përpjekjet që çështja e integrimit të marrë një përgjigje sa më parë të jetë e mundur.”