Lëvizja Socialiste për Integrim i kërkon kryeministrit Edi Rama të shkarkojë prefektin e qarkut të Beratit. Në një dalje për mediat, deputeti Nasip Naço akuzon Ministrinë e Financave se ka bllokuar veprimet financiare të bashkisë Skrapar.

"Zonja ministre e Financave ne kërkojmë që të urdhëroni degën e thesarit Skrapar për zhbllokimin e veprimeve financiare të bashkisë Skrapar duke lejuar të kryejë veprimet. Nëse ju nuk ndërmerrni asnjë veprim në zbatim të ligjit më lind e drejta t'ju them se ju jeni urdhëruesit dhe zbatuesit e këtij veprimi kriminal. Ne kërkojmë që të zbatohet ligji dhe të vazhdojë funksionimi i bashkisë Skrapar.

Zoti kryeministër, po ju drejtohem publikisht që të ndërhyni, të zhbllokohet kjo situatë. Të shkarkoni prefektin e qarkut të Beratit dhe të kërkoni ndjekjen penale të tij. Nëse nuk bëni zhbllokimin e kësaj situate, atëherë jeni ju urdhëruesit dhe zbatuesit e këtij veprimi kriminal", tha Naço.