Deklaratat e Edi Ramës një ditë më parë në Berat, sipas të cilit, gratë socialiste ishin larguar pa të drejtë nga puna se ishin me PS-në, morën një përgjigje të fortë sot nga selia e LSI-së.

“Gratë socialiste janë zëvëndësuar nga vajzat e korridoreve të Rilindjes”, tha deputetja e Skraparit, Silva Caka, sipas së cilës, vajzat e Rilindjes zunë vend edhe në listat e kandidatëve të PS-së.

Silva Caka ka vazhduar të lexojë një deklaratë të fortë mbushur me akuza, sharje dhe epitete për Ramën, të cilin e quajti “Kryepolici i Rilindjes” “I mjerë” dhe “I pashpresë”.

Caka tha se Rama është i tmerruar nga zgjedhjet e lira dhe vota e lirë. “Ai ishte njeriu më i frikësuar brenda PS-së të bënte zgjedhje me rival Ben Blushin e jo më të bënte zgjedhje të lira e me të gjithë aktorët të përfshirë në garë”.

“Rilindjen e ktheu në ndërmarrjen më të madhe të drogës në Europë”, u shpreh deputetja, që e quajti një inskenim kriminal, procedimin penal për deputetin e LSI-së Gledion Rahovica dhe drejtorin e spitalit të Beratit për blerje të votave.

“Kryepolici” planifikon blerje votash dhe është në panik nga zbatimi i Vetingut, tha Caka duke e mbyllur deklaratën me thënien “Le të çmendet kryepolici, LSI do të dalë forcë e parë”.