Lëvizja Socialiste për Integrim distancohet nga qëndrimi i deputetit Përparim Spahiu, i cili shprehu pakënaqësi për çështjen e vetingut nga ndërkombëtarët për gjyqtarët dhe prokurorët.

Burime pranë LSI-së bëjnë të ditur se partia distancohet nga qëndrimi i deputetit Spahiu. Madje mësohet se javën e ardhshme do të mblidhet grupi i LSI për të marrë një vendim për këtë qëndrim të deputetit.

Fillimisht, në një postim në faqen e tij në Twitter, deputeti i LSI-së Përparim Spahiu foli për rëndësinë e sovranitetit në përgjithësi, duke u fokusuar më pas tek çështja konkrete që lidhet me vetingun, për të cilën ai lë të kuptojë se e udhëhequr nga ndërkombëtarët do të çojë në një shkelje të sovranitetit të vendit.

“E kuptoj dhe jam dakord që sovranitetin e vendit tonë të përbashkët duhet ta ndajmë me NATO-n, me KE, shpresoj dhe me BE! Por nuk jam gati të votoj ndarjen e sovranitetit me Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit! Çfarë përfaqësojnë këta?!!”, – shkroi Spahiu.

Në anën tjetër, LSI-ja, përmes kreut të grupit parlamentar, Petrit Vasili, është firmëtare e draftit të ndryshimeve kushtetuese për të kaluar në procedurat e rregullta parlamentare.