I pranishëm në mbledhjen e Komitetit Drejtues të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Sekretari i Përgjithshëm i saj Luan Rama tha se LSI është forca përcaktuese e cila krijon mazhorancën qeverisëse në vend.
Për sa i përket çështjes së reformës zgjedhore ai tha se LSI ka insistuar dhe do të vazhdojë të insistojë që në këtë proces të respektohet parimi themelor dhe kushtetues u barazisë së votës për të gjithë qytetarët shqiptarë kudo që ata e hedhin këtë votë në të gjithë Shqipërisë. Lidhur me procesin e zgjedhjes së Presidentit, Rama tha se është një provë maturie e politikës shqiptare.
Ndërkaq, për qëndrimin e Lëvizjes Socialiste për Integrim për kandidaturën e Fatos Nanos për President të ardhshëm, Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, u përgjigj se procesi i zgjedhjes së kryetarit të shtetit është një sfidë e politikës.
“Fatos Nano duhet të jetë kandidat i Partisë Socialiste për President të Republikës. Zgjedhja e Presidentit nuk është një sfidë e njërit kryetar kundër kryetarit tjetër dhe as sfidë e njërës parti kundër partisë tjetër se kush do ta marrë postin e Kryetarit të Shtetit. Kjo është sfidë e politikës shqiptare për të dëshmuar përgjegjshmëri dhe pjekuri politike në përputhje me interesat europiane të vendit, për të dëshmuar në 100-vjetorin e Pavarësisë që jemi evropianë dhe që dimë të ngrihemi mbi interesat parciale apo të grupit”, u shpreh Rama në mbyllje të fjalë së tij.