Intervistoi Mila Ballhysa
Shumë në Durrës e njohin si një profesionist i mirë në fushën e ekonomisë, por muajt e fundit ka ardhur me një profil ndryshe. Ka zgjedhur të angazhohet për herë të parë në politikë, por jo pranë dy partive të mëdha. Enon Karapici ka rreth një vit që është atashuar pranë degës lokale të Lëvizjes Socialiste për Integrim, mban postin e nënkryetarit të degës dhe njëkohësisht garon në këto zgjedhje për një mandat deputeti, duke u pozicionuar në vend të tretë të listës së qarkut Durrës.
Prej rreth dy muajsh është në kontakte të vazhdueshme me qytetarë, për t’u shpjeguar programin elektoral të LSI, për të cilin ka kontribuuar edhe vetë në hartimin e tij.
Gjatë intervistës për “DurrësLajm” tregon se pavarësisht se dikush mund të jetë habitur për vendimin e tij për t’u përfshirë në politikë, pritja nga qytetarët ka qenë mjaft e ngrohtë, kjo dhe për faktin se shumëkush kërkon të përfaqësohet nga profesionistë të mirë, që me punën e tyre kanë treguar se e duan qytetin, e duan zhvillimin e tij. Përfshirja në politikë për Enon erdhi si një vokacion i brendshëm.
“Kam arritur një nivel të caktuar në fushën profesionale dhe mendoj që mund të jap diçka në politikë, qoftë nga eksperienca ime si ekonomist, por edhe si qytetar mendoj se mund të jap diçka për qytetin”,– thotë kandidati Karapici.
Duke u ndalur në programin ekonomik të LSI për Durrësin, ai rendit si më kryesoret krijimin e zonave të lira ekonomike, të cilat do të sjellin zhvillim të qarkut dhe rritje të punësimit.
“Projekti për zonat e lira ka për qëllim thithjen e investimeve të huaja direkte në Shqipëri, por sidomos në qytetin e Durrësit. Kjo ka një ndikim të drejtpërdrejtë në numrin e të punësuarve në qytetin bregdetar, pasi me krijimin e një zone të lirë ku do të vendosen bizneset e huaja, këto të fundit do të jenë të përjashtuar nga taksat, TVSH, tatim-fitimi dhe tatimi mbi të ardhurat personale. Në të njëjtën kohë, hapësira ku do të ushtrojnë aktivitetin do t’u jepet falas për shfrytëzim për një periudhë 99-vjeçare. Kjo është një praktikë e njohur në botë. Unë kam ndjekur nga afër implementimin e saj në Maqedoninë e Veriut dhe kam parë që duke pasur vullnet politik kjo mund të realizohet”,– thotë Karapici.
Duke u ndalur tek efektet pozitive të zonave të lira ekonomike, Karapici liston disa prej tyre:
- Gjenerim i mijëra vendeve të reja të punës.
- Frenin i shpopullimit të vendit.
- Orientim për rininë, për të sapo diplomuarit dhe profesionistët drejt tregut të punës.
- Durrësi shndërrohet në epiqendër të zhvillimit ekonomik dhe model për zona të tjera në vend.
- Transformim të vendit në një eksportues të rëndësishëm dhe ndërlidhës në rajon.
- Një Durrës me një zhvillim të qëndrueshëm ekonomik në shërbim të banorëve.
- Ky projekt do jetë kombëtar – dhe themeli i zhvillimit të qendrueshëm ekonomik jo vetëm për 4 vitet e ardhshme por për dekadat që do të vijnë.
Duke e parë zhvillimin e Durrësit me syrin e një banori të lindur dhe rritur këtu, Enon Karapici e pranon faktin se qyteti është rritur, ka ndryshuar, ka shumë më tepër banorë sesa vite më parë. Por duke u ndalur konkretisht tek investimet e realizuara, ai nënvizon se për pjesën më të madhe të tyre nuk është marrë mendimi i qytetarëve, i specialistëve të fushës.
Investimi disa herë po për të njëjtën vepër publike është për Karacipin shpërdorim fondesh që mund të përdoreshin në një tjetër projekt, ndërsa nga ana tjetër ai deklaron se një pjesë e mirë e problematikave kanë lidhje me mos aplikimin e mirë të Ligjit për Qeverisjen Vendore, sepse ai nuk është shoqëruar me akte nënligjore që do të rrinin efiçensën ose pjesëmarrjen e qytetarëve në vendimmarrje.
I shqetësuar, ai ndalet edhe tek rënia e të ardhurave për frymë për qytetarët e Durrësit. Duke iu referuar të dhënave të INSTAT, kandidati Karapici thotë se Durrësi ka zbritur vitet e fundit nga vendi i dytë fill pas Tiranës, në vend të 4-ërt duke dëshmuar kështu një ngadalësim të ekonomisë. Në vitet e fundit sipas tij numri i bizneseve në qytetin bregdetar ka mbetur pak a shumë në të njëjtat shifra 10-12 mijë biznese, ndërkohë që popullsia ka ardhur duke u rritur dhe pjesa më e madhe e të punësuarve i përkasin biznesit të vogël, vetëpunësimeve. Për këtë shkak, Karapici kërkon një vëmendje të shtuar nga ana e pushtetit qendror dhe lokal për Durrësin, për zhvillimin e tij ekonomik dhe frenimin e emigrimit të moshave të reja.
“Bashkia dhe qeveria duhet të marrin masa për Durrësin në të ardhmen, pasi qyteti ka sot 300 mijë banorë, por nesër mund të shkojë në 500 mijë banorë. Duhet të mendojmë për të ardhmen, sesi këta njerëz do të integrohen dhe do të punojnë këtu me qëllim frenimin e fenomenit të emigrimit të rinisë nga Shqipëria”,– thotë Karapici.
LSI Durrës vjen në këto zgjedhje pas një ristrukturimi tërësor të degës, largimit të figurave që e themeluan atë dhe afrimin pranë saj të profesionistëve të rinj dhe njerëzve të papërfshirë më parë në politikë. Në këto zgjedhje, dega lokale i ka objektivat e qarta.
“Ne synojmë të kemi përmirësim të rezultatit nga zgjedhjet e vitit 2017 dhe objektivi ynë është të arrijmë më shumë se 3 deputetë në qarkun e Durrësit”,- thotë Karapici.
Kandidati i renditur në vendin e tretë të listës së qarkut Durrës u apelon bashkëqytetarëve të tij që më 25 prill, në kutinë e votimit ta hedhin votën për LSI dhe për Enon Karapicin.