TIRANE – Në një konferencë për shtyp nga selia e LSI-së, nënkryetari i kësaj force politike, Petrit Vasili, u bëri apel partive politike që të lënë mënjanë gjuhën e ashpër dhe akuzat e ndërsjella, dhe të mos ndryshojnë axhendën e integrimit, për votimin e tre ligjeve për statusin kandidat dhe realizimin e zgjedhjeve me standarde. 

“Ne jemi të bindur që momenti të cilin po përjeton Shqipëria, rruga që ajo ka bërë në këto 22 vite pluralizëm, kërkojnë dialog në vend të retorikave, pamfleteve politike dhe gjuhës së egër e të ashpër, kërkon konstruktivitet në vend të destruktivitetit, kërkon njëkohësisht bashkëpunim e tryeza të gjera të dialogut, kërkon përfshirje të shoqërisë civile por edhe të qytetarëve në tërësi dhe nuk kërkon thirrje patetike që nuk të çojnë asgjëkund. Sot, politika është e thirrur që me të gjitha instrumentet që ajo ka të prodhojë zgjidhje të vazhdueshme dhe konkrete për qytetarët”- tha ai. 

Më tej, Vasili theksoi se Lëvizja Socialiste për Integrim kërkon që axhenda e integrimit të mos ndryshojë dhe përmes kompromisit të sigurohet mbarëvajtja e zgjedhjeve të 23 qershorit. 

"Ndaj në mënyrë përfundimtare ne do të kërkonim dhe kërkojmë që axhenda e integrimit të mos ndryshojë dhe tre ligjet, që janë një kusht për fitimin e statusit të vendit kandidat, të ecin përpara me miratimin e tyre dhe nuk kanë pse të bëhen pengesë për këtë proces jetik të shqiptarëve dhe hapjes së tyre drejt Europës, hapjes drejt Europës të shqiptarit të thjeshtë por edhe të shqiptarit të biznesit i cili ka nevojë për komunikim dhe për këto vlera që globalizimi prodhon"- theksoi Vasili.