Meta në pularinë e Sukthit, ofron mbështetje me fonde qeveritare.
Kryetari i Parlamentit Ilir Meta dhe ministri i Bujqësisë Edmond Panariti zhvilluan një vizitë në një pulari, në fshatin Kullë të Sukthit, një ndër më të mëdhatë në vendin tonë në prodhimin e vezëve. Ministri Panariti e konsideroi një ndër ikonat e pularisë së vendit, që shquhet për cilësi prodhimi dhe që ka punësuar një numër të lartë punonjësish me paga të kënaqshme. Panariti tha se në vitin 2013 prodhoheshin 300 milionë vezë në vit, ndërsa sot prodhimi është rritur në 900 milionë, dukë bërë jo vetëm të furnizohet tregu i brendshëm, por edhe të eksportohet në vendet e rajonit. Kjo pulari sipas Panaritit, si rezultat i performancës së mirë ka përfituar 24 milionë lekë të rinj nga qeveria.
Ndërsa kryeparlamentari përgëzoi drejtuesit e kësaj fabrike, si në drejtim të prodhimit, ashtu edhe atë të punësimit. Meta tha se subjekte të tilla që garantojnë punësim të sigurt do të kenë mbështetjen e qeverisë për zhvillim të mëtejshëm të biznesit.
Krahas furnizimit të tregut të brendshëm, kjo pulari eksporton vezë në vendet e rajonit si: Kosovë, Serbi dhe Maqedoni. Si rezultat i performancës pozitive, ky subjekt ka përfituar 24 milionë lekë të rinj nga skemat e mbështetjes të cilat janë investuar në ndërtimin e një baterie të re vezësh.
K.H.





