Kryetari i LSI-së Petrit Vasili ka pranuar humbjen duke deklaruar se tashmë vendi do të ketë një opozitë të vërtetë.

Në konferencën e parë për shtyp pas zgjedhjeve të 25 qershorit, kreu i LSI-së deklaroi gjithashtu se gjatë këtyre zgjedhjeve pati parregullsi dhe akuzoi Policinë e Shtetit për ushtrim terrori si dhe ish-aleatët e tyre qeverisës se kanë përdorur para të pista.

Petrit Vasili u shpreh se kanë të dokumentuara me prova rastet e parregullsive në zgjedhjeve dhe për këtë kanë informuar edhe trupat diplomatike.

Sa i përket daljes së LSI-së në opozitë, Vasili theksoi disa herë se tashmë në opozitë do të përfaqësojnë zërin e qytetarëve për të denoncuar abuzimet e qeverisë së re, si dhe akuzoi Partinë Demokratike për rolin e saj në bërjen e opozitës gjatë këtyre 4 viteve.

“Jam këtu që në përfundim të zgjedhjeve të falënderoj mbi 230 mijë votues shqiptarë, mijëra e mijëra të rinj anembanë vendit, dhe mijëra burra e gra që votuan LSI për t’i ngarkuar asaj një mision historik, të jashtëzakonshëm që ka të bëjë me një opozitë të vërtetë në këtë vend. Zgjedhjet e 25 qershorit për shkak të strategjisë së terrorit, të lëshimit të miliona parave të pista, të bërjes njësh të Policisë së Shtetit dhe bashkëvepruese në këtë strategji terrori, 230 mijë vota ishin pikërisht goditja më e rëndë që mund t’ju jepte kësaj strategjie. Më së fundi dhe për herë të parë pas 4 vitesh do të ketë mijëra e mijëra shqiptarë do të kenë më së fundi zërin e tyre në Parlamentin e Shqipërisë. Një zë i cili do të denoncojë qartë të gjithë strategjinë jo vetëm të terrorit të këtyre zgjedhjeve, strategji që është dokumentuar gjërësisht me mijëra dokumente, fakte, filmime, të cilat do të bëhen të ditura anembanë botës, brenda dhe jashtë Shqipërisë.

Së dyti, zëri i kësaj opozite të re do të jetë një zë i cili do të zhbëjë moralisht strategjinë e drogës në këtë vend dhe të parave të fëlliqura që rrjedhin prej saj, një vend që do të çlirohet nga kthimi në një gropë plehrash të një vendi i cili kërkon të çlirohet nga vjedhja qindra milionëshe me koncesione, në një vend i cili do të çlirohet nga dhuna e taksidarëve dhe dhuna e një shteti që u pi gjakun atyre”, u shpreh Vasili.