Në një dalje urgjente për mediet, gjatë mëngjesit të kësaj të mërkure, kryetarja e LSI-së Monika Kryemadhi paraqiti dy propozime për amendimin e ligjit për buxhetin e vitit 2019, që do të reflektojnë sipas saj përmbushjen e kërkesave minimale të studentëve, protesta e të cilëve ka hyrë tashmë në javën e dytë.

Kryemadhi sulmoi qeverinë, duke thënë se për të përmbushur kërkesat minimale të studentëve, – pikën 1, 4, 5, 6, 7 dhe 8, – duhet të marrin vetëm 1 për qind të shumës prej 46% që qeveria ua jep koncesionarëve, duke zgjidhur kështu hallet e studentëve që reflektojnë varfërinë e familjeve shqiptare.

“Sot i propozojmë Kuvendit dy amendamente që do të zgjidhnin 8 kërkesat minimale, ndaj ftoj qeverinë që t’i miratojmë urgjentisht ato. I bëj thirrje Ramës të ulet dhe të përmbushë kërkesat e studentëve, pasi sot, më shumë se kurrë shqiptarët janë me studentët”, tha ndër të tjera Kryemadhi.