TIRANE,11 tetor 2013 – Në kushtet kur opozita vijon të bojkotojë kuvendin, në shenjë kundërshtimi ndaj aktit normativ të qeverisë për shtyrjen e ligjit të nëpunësit civil, Lëvizja Socialiste për Integrim bën apel për dialog mes mazhorancës dhe opozitës, duke propozuar një takim të dy liderëve Edi Rama dhe Lulzim Basha.
Në një konferencë për shtyp, kreu i grupit parlamentar të LSI-së, Petrit Vasili theksoi se takimi i dy liderëve politikë do të sillte vetëm rezultate pozitive, për një çështje madhore siç është ligji për nëpunësin civil.
“Vlerësojmë se është një moment i rëndësishëm për të rivendosur dialogun mes mazhorancës dhe opozitës, dialog i cili në mënyrë të natyrshme çon në zgjidhjen e problemeve. Ne e gjejmë të udhës të promovojmë idenë e një takimi ndërmjet mazhorancës dhe opozitës në nivel të kryetarëve, kryeministrit Rama dhe kreut të PD Basha, për të eksploruar një dakordësi.Ky takim “përveçse do t’i jepte fund debateve për ligjin e nëpunësit civil, do të ishte edhe një demonstrim i pjekurisë politike dhe një mesazh i mirëpritur nga partnerët europianë, – deklaroi Vasili





