Në një retrospektivë të historikut të krijimit të degës së PS-së në Durrës, Mjeshtri i Madh i shahut, Fatos Muça rekomandon dhe lëvizjen e gurëve të shahut që i duhen PS-së për të ardhur në pushtet. “Mendoj se nëse PS-ja vërtetë do të ketë një program të saktë dhe të dijë se çfarë t´i ofrojë popullit në kushtet kur kriza ekonomike vazhdon, do të jetë në gjendje të marrë një votë të madhe popullore”. Sipas Muçës, fitorja e Dakos në bashkinë e qytetit ishte dhe një shans për të gjallëruar degën e PS-së në Durrës
Cilat ishin rrethanat dhe faktorët që ndikuan në krijimin e degës së PS-së në Durrës?
Nuk mendoj se ishin rrethana të veçanta, thjesht ndryshimet që ndodhën dhe që ishin të domosdoshme. Unë personalisht duke qenë jo vetëm një figurë e madhe sportive, por duke qenë dhe kryetar i Komitetit të Fizkulturës së Rrethit kam pasur një qëndrim normal, i pa implikuar shumë me turmat me zhurmat e personave që donin të kontribuonin më shumë në lidhje me demokracinë. Më pas ishin rrethana njohjesh dhe miqësish. Të parin fare p.sh. që unë e njihja personalisht ishte Fatos Nano.
Pa ndonjë arsye të fortë u pozicionuam dhe mbetëm si mbështetës të PS-së. Kuptohet që bëhet fjalë për vitin 1991 kur kryetar i parë në Durrës ka qenë Mehmet Karakushi, i cili ishte një njeri që ishte spostuar nga Partia e Punës, madje u konsiderua dhe si ardhje e re në PS. Më pas me mirëkuptimin me dëshirën e Mehmet Karakushit u gjet një alternativë e re që ishte Bardhyl Agasi, një figurë e madhe e qytetit tonë. Ndonjëherë i kam bërë pyetjen vetes se pse unë u pozicionova te PS-ja.
Nëse nuk do të pozicionohesha, do të më donte i gjithë qyteti si figurë e madhe dhe e dashur që isha për njerëzit nga sporti i shahut, por me pozicionimin tim në atë kohë më mori inat gjysma e qytetit. Gjithsesi janë gjëra instiktive që njeriu i vendos dhe i ndikuar siç e thashë nga shumë rrethana të tjera.
Në këto kushte pati reagime kundër meje dhe natyrisht çdo veprim ka kundërveprim dhe unë u angazhova më tej në politikë duke u bërë një ndër protagonistët e PS-së në ato vite, jo në funksione, por në drejtim të imazhit të kësaj force politike në Durrës. Kam qenë në kryesinë e PS-së, anëtar i Komitetit të Përgjithshëm drejtues kur bëheshin zgjedhjet në Kongres dhe kontribuues i devotshëm i PS-së.
Cilat kanë qenë disa nga figurat më kontribuuese në kohën kur konturohej dega e PS-së së Durrësit?
Në atë kohë në krye të PS-së ishte Bardhyl Agasi, një figurë tjetër e nderuar si Zihni Beqiraj që vinte nga mësuesia, Spartak Braho që me aftësitë juridike dhe eksperiencën që kishte jepte një kontribut të veçantë, pa përmendur emra të tjerë që listën do e bënin të gjatë.
Si e shpjegoni faktin që PS-ja në vitet e fundit ka qenë një anije që është lëkundur nga konfliktet e brendshme?
PS që nga fillimi me drejtimin e Fatos Nanos ishte parti liberale. Edhe kur Nano ishte në burg, njerëzit që drejtonin PS i shprehnin mendimet e tyre fare lirshëm dhe mund të kundërshtonin Fatos Nanon, Gramoz Ruçin, Servet Pëllumbin apo dhe drejtues të tjerë të PS-së. Ky ambient më tepër se duhet liberal dhe një shoqëri e demokratizuar, bënë që nga jashtë të dukej sikur konfliktet ishin shumë të mëdha brenda PS-së. Realisht ne që ishin brenda PS-së u mësuam me këtë lloj komunikimi dhe shprehje.
PS nuk ka fituar asnjëherë vetëm me forcat e veta. Asnjë forcë politike, si PD-ja ashtu dhe PS-ja nuk plotësojnë të vetme numrat për të marrë pushtetin. Të dyja forcat në momente të caktuara kanë marrë vota nga pjesa që është jashtë këtyre dy forcave politike ose, e thënë thjesht, nga ata që nuk dinë ku ta çojnë votën. Ky elektorat në Shqipëri është përcaktues në marrjen e pushtetit. Mendoj se firot që krijohen në dy forcat politike nuk janë aq të mëdha sa të largojnë apo sjellin në pushtet dy forcat e mëdha politike
Aktualisht nuk mund të them që nuk është, por atëherë ishte më shumë se sot. Edhe sot ka mbetur ajo frymë, por duhet të kemi parasysh se me krijimin e LSI-së shumë veta gjetën rrugën e largimit nga PS-ja te LSI-ja. Kjo frymë demokratizimi dhe debate nga brenda i dha mundësinë dhe krijimit të LSI-së.
A mund të vijë në pushtet PS me bashkëpunimin me LSI-në?
PS nuk ka fituar asnjëherë vetëm me forcat e veta. Asnjë forcë politike, si PD-ja ashtu dhe PS-ja nuk plotësojnë të vetme numrat për të marrë pushtetin. Të dyja forcat në momente të caktuara kanë marrë vota nga pjesa që është jashtë këtyre dy forcave politike, ose e thënë thjesht nga ata që nuk dinë ku ta çojnë votën.
Ky elektorat në Shqipëri është përcaktues në marrjen e pushtetit. Mendoj se firot që krijohen në dy forcat politike nuk janë aq të mëdha sa të largojnë apo sjellin në pushtet dy forcat e mëdha politike. Mendoj se nëse PS-ja vërtetë do të ketë një program të saktë dhe të dijë se çfarë t´i ofrojë popullit në kushtet kur kriza ekonomike vazhdon, do të jetë në gjendje të marrë një votë të madhe popullore.
Cilat kanë qenë marrëdhëniet tuaja direkte me Fatos Nanon dhe Edi Ramën?
Me Fatos Nanon kam pasur marrëdhënie shumë të mira, ndonëse shpesh isha një nga ata që jam pozicionuar dhe kundër veprimeve që vinin nga drejtimi i partisë apo i Fatos Nanos, megjithatë edhe kur kam votuar kundër, në asnjë rast ai nuk ka shprehur pakënaqësi ose ka patur konflikt në mes nesh.
Përsa i përket z. Rama, mund të them se e njoh prej shumë vitesh. Shumë njerwz mendojnë se z. Rama ka një drejtim autoritar, por nga kontaktet që kam pasur më ka bërë përshtypje lufta që ai ka bërë për t´i bashkuar të gjithë dhe për të shmangur çdo lloj konflikti. Personalisht nuk e kam menduar kurrë që ai do të ishte i interesuar dhe në nivele lokale që marrëdhëniet brenda PS-së të jenë normale dhe pa konflikte në rastet kur mendimet janë ndryshe.
Si e shpjegoni faktin që në Durrës duket se dhe PS-në e drejton kryetari i bashkisë. A mos është kjo një frymë e futur nga Edi Rama?
Unë mendoj që kryetari i bashkisë erdhi pranë PS-së në një moment krize të PS-së. Unë kam qenë një ndër protagonistët që kam insistuar shumë që Vangjush Dako të kandidonte për kryetar bashkie. Oferta për ta bërë Vangjushin kryetar bashkie nuk ka qenë një ofertë për t´i bërë nder Vangjushit.
Unë personalisht e kam parë si një instrument për të përdorur emrin dhe imazhin e Vangjush Dakos në favor të PS-së. Në fakt rezultoi që këmbëngulja jonë ishte e suksesshme, pasi personi i vetëm që mund të fitonte bashkinë ishte pikërisht Vangjush Dako. Me fitimin e bashkisë dhe PS-ja i hodhi sytë nga Vangjushi. Nuk është çështja se Vangjushi mori frenat e PS-së, është problemi se vetë PS-ja e kërkonte zgjidhjen te Vangjush Dako.
Kjo situatë e vuri Dakon përballë një përgjegjësie të tillë që të kontribuonte për PS. Vërtet sot ka kryetar partie rrethi dhe qyteti, por secili bën punën e vet, në një kohë që Dako i shërben përmes imazhit dhe suksesit në bashki dhe Partisë Socialiste.
Z Muça, së fundi cilat janë të rejat nga fronti i shahut?
Në fakt kemi një projekt të rëndësishëm për krijimin e një akademie shahu dhe futjen e teksteve të shahut në sistemin tonë arsimor. Natyrisht do të jenë në mënyrë fakultative, por do të shtojnë informacionin për këtë sport që gjallëron mendjen e njeriut dhe i shërben direkt rritjes së cilësisë në mësime.
Natyrisht kemi pasur pengesa nga Federata e Shahut, sa dhe në kohën që Ministër i Kulturës, Turizmit dhe Sporteve ishte z. Xhaferaj ia kam parashtruar këtë shqetësim, por mendoj se kjo çështje do të zgjidhet në të ardhme dhe dimensionet e shahut do të afrohen më tepër me të rinjtë që e adhurojnë këtë sport. Vetë tradita që ka shahu te ne, është një garanci për suksesin e këtij projekti.