Luan Rama, sekretari i përgjithshëm i Lëvizjes Socialiste për Integrim, gjatë një deklarate për mediat sot, ku njoftoi pjesëmarrjen e forcës së tij politike në komisionin e posaçëm kuvendor për reformën zgjedhore, tha se edhe ai fliste në emër të partisë ku bënte pjesë. “Së pari më lejoni të bëj të ditur që jam në këtë konferencë shtypi në cilësinë e sekretarit të përgjithshëm të LSI dhe me të gjitha atributet e përfaqësimit politik të detyrës që përfaqësoj,” – tha Rama.

Sqarimi i Ramës kishe lidhje me një deklaratë të para disa ditëve, ku nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim doli para mediave dhe hodhi poshtë atë që sekretari i përgjithshëm Rama kishte thënë më herët. Nënkryetari Petrit Vasili u distancua nga një deklaratë e Luan Ramës, i cili i kërkoi qeverisë të merrte në konsideratë vërejtjet e Fondit Monetar Ndërkombëtar për konçesionet.

Që nga ajo ditë, Rama nuk kishte patur rastin të sqaronte pozicionin e tij, kështu që e bëri atë sot. Përfundimisht, pavarësisht mendimeve krejt ndryshme, që të dy, Rama dhe Vasili, shprehin qëndrimin e Lëvizjes Socialiste për Integrim.