Përmes një deklarate për mediat, Luan Rama, sekretari i përgjithshëm i Lëvizjes Socialiste për Integrim, i ka kërkuar qeverisë të lexojë me vëmendje raportin e Fondit Monetar Ndërkombëtar për politikat fiskale. Luan Rama ka ftuar qeverinë të reflektojë me seriozitet ndaj këtij raporti dhe të jetë transparente.

“Sa herë që qeveria shqiptare nuk e ka konsideruar me seriozitet qëndrimin e FMN, jemi ndeshur me fenomene krizash, apo situata të pakëndshme të zhvillimit ekonomik. Të reflektojë me seriozitet, përgjegjshmëri, të lexojë në mënyrë të drejtpërdrejtë siç është shkruar raporti, dhe më lejoni të them që nuk e teproj, madje duhet lexuar më me seriozitet dhe konsistencë ndoshta dhe se sa rekomandimet e Komisionit të Venecias. Mirëqeverisja impaktin e parë duhet ta krijojë tek cilësia e jetës së qytetarëve shqiptarë, të ardhurat e familjeve shqiptare, dhe tek ofrimi i shërbimit që e bën këtë jetë të denjë dhe e përafron me standardet e vendeve anëtare të BE,” – deklaroi Rama.

Raporti i FMN paralajmëron qeverinë shqiptare që të bëjë kujdes me koncesionet.