LSI është rikthyer këtë radhë në sallën e Këshillit Bashkiak të Durrësit, pas refuzimit në grup që bëri në mbledhjen e shkuar. Pas presionit të bërë muajin e shkuar, këtë radhë LSI ishte në konsensus me projektvendimet e paraqitura nga bashkia, ndërsa debatet midis maxhorancës së majtë dhe opozitës së djathtë, janë bërë për ndarjen e zonave që janë jashtë bashkisë së Durrësit.
Armand Teliti i PD-së, deklaroi se ka përfunduar koha kur ish-njësitë vendore jashtë bashkisë së Durrësit, thirreshin në ish-komuna e bashki, tani janë pjesë e pandarë e një bashkie të madhe.
Kreu i bashkisë Vangjush Dako, tha se vitin e ardhshëm do të kategorizohen zonat jashtë qytetit të Durrësit që bëjnë pjesë në bashkinë e madhe.
Po kështu, debate janë zhvilluar për zënien e hapësirave publike në shëtitoren “Taulantia” në Durrës, dhe për blerjen e një roboti për pastrimin e pishinës me vlerë 4.5 milionë lekë. Nga 10 pika në rendin e ditës, PD ngriti kartonin e kuq për miratimin e fondit të shpronësimit për ndërtimin e sheshit para portit detar. Teliti tha se Durrësi ka halle të tjera para se të miratojë fonde për këtë shesh. Por edhe kjo pikë e rendit të ditës u miratua me shumicë votash të PS-së dhe të LSI-së.
Konkretisht është pika numër tre e rendit të ditës “Për miratimin e vlerës financiare të shpronësimit 13’455’300 lekë për pasuritë pronë private me nr.24/351 dhe nr.24/525 ZK8512 që preken nga investimi “Ndërtim sheshi publik para hyrjes së Portit Detar Durrës”.
Ndër investimet publike që shkojnë direkt për komunitetin ishte miratimi i fondit prej rreth 6 milionë lekësh për çerdhen numër tre në Durrës, për blerjen e pajisjeve hidrosanitare.
Ndjekim Videon!
Të gjitha pikat e rendit të ditës të miratuara më poshtë:
Për disa shtesa dhe ndryshime në VKB nr. 302, datë 01.12.2015 “Për sistemin e Taksave dhe Tarifave vendore në qytetin e Durrësit” të ndryshuar
Për miratimin e fondit 32’396’081 lekë për përballimin e efekteve financiare që rrjedhin nga zbatimi i V.K.M nr.165 datë 02.03.2016 “Për grupimin e njësive të vetëqeverisjes vendore, për efekt page, dhe caktimin e kufijve të pagave të funksionarëve të zgjedhur e të emëruar, të nëpunësve civilë e të punonjësve administrativë të njësive të vetëqeverisjes vendore”
Për miratimin e vlerës financiare të shpronësimit 13’455’300 lekë për pasuritë pronë private me nr.24/351 dhe nr.24/525 ZK8512 që preken nga investimi “Ndërtim sheshi publik para hyrjes së Portit Detar Durrës”
Për miratimin e fondit me vlerë totale 537.699 lekë për kryerjen e punimeve me objekt “Riparim të nyjeve hidrosanitare të Çerdhes nr.3”, mbikëqyrjen e punimeve dhe kolaudimin e objektit Çerdhe nr. 3 Durrës.
Për miratimin e fondit prej 450.000 lekë për blerjen e një pajisje për pastrimin e Pishinës “Taq Dafa” të qytetit të Durrësit.
Për miratimin e përdorimit të fondit të financuar nga IZUM (Instituti i Shkencave te Informacionit te Republikës Sllovene) sipas Marrëveshjes së bashkëpunimit me Bibliotekën Publike Durrës në shumën 234’361 lekë.
Për dhënien e miratimit në parim për mirëmbajtjen e projektit: ”MODERNIZIMI I SHERBIMIT TE INFORMIMIT TE QYTETAREVE NEPERMJET DIXHITALIZIMIT TE TE DHENAVE GJEOHAPESINORE TE TITUJVE TE PRONESISE DHE BIZNESEVE TE BASHKISE DURRES” që i çel rrugën vazhdimit të procedurave të prokurimit.
Për dhënien në përdorim, pa kundërshpërblim, Fondacionit “Save the Children” dhe Organizatës “Ndihmoni Jetën”, të ambientit me sipërfaqe të përgjithshme 243 m2, që ndodhet në katin përdhe të ndërtesës me emërtimin apartamente sociale, me vendndodhje në lagjen nr. 17, rruga Dalip Peza, për një afat kohor deri me datë 31 dhjetor 2018.
Për miratimin e ndryshimit të VKB nr. 181 datë 26.10.2009 “Për miratimin e emërtimeve të reja të shesheve, shëtitoreve dhe rrugëve në qytetin e Durrësit” të ndryshuar, për ndryshimin e emrit të rrugës nga “Mbreti Mytil” në “Juxhin Guza”.
Për dhënien e titullit “Qytetar Nderi” z.Khalaf Ahmad Al-Habtoor.





