1dhjetor 2015 – Këshilltarët e Lëvizjes Socialiste për Integrim në Këshillin e Bashkisë së Durrësit shtyjnë vendimin për taksën e ujit të pijshëm. Ndërsa është miratuar paketa fiskale me taksat e reja të vitit 2016, nuk ka ndodhur kjo për ujin.
Nga ana e LSI-së duket se i ka bërë sfidë PS-së, me të cilën është në koalicion. Kjo ndodhi kur këshilltarët e LSI-së, (13 në Këshillin Bashkiak) kanë këmbëngulur që të mos kalohet çështja e rritjes së taksës për ujin. Sipas tyre, dokumentacioni nga ndërmarrja e Ujësjellësit duhet të ishte më i plotë, duke e shtyrë diskutimin në mbledhjen e ardhshme.
Kryebashkiaku Dako e vlerësoi punën e ndërmarrjes me nota pozitive. Ai tha se kjo ndërmarrje kur kaloi në varësi të bashkisë arrinte deri në 50 për qind të arkëtimeve, ndërsa sot arrin deri në 80 për qind. Por, pavarësisht performancës së lartë, me këtë çmim që ofrohet sot për ujin, ndërmarrja rezulton me humbje. Nga ana e kreut të këshilltarëve të LSI-së, Flutura Kone u kërkua dorëzimi i dokumenteve shtesë dhe shtyrja e vendimit në një seancë tjetër. Pritet që në seancën e ardhshme të konkludohet me vendim nëse do të rritet apo jo tarifa mujore e ujit për konsumatorët.
/portali DurrësLajm/