Selim Belortaja i Ilir Metës parapëlqen medie afër PD-së, madje dy gazeta të të njëjtit botues, pronar i fabrikës “Birra Korça”
DURRËS, 9 nëntor 2013 – LSI-ja përdor portin dhe paratë publike të reklamave, thjesht për klientelizëm politik. Për më tepër financon dy të përditshme të të njëjtit botues skraparlli, pronar i fabrikës “Birra Korça”. Drejtori ekzekutiv i kompanisë publike / shtetërore të Autoritetit Portual Durrës (APD), sha Selim Belortaja, i emëruar nga LSI-ja, dhe pse merr vesh mjaft mirë nga tregu mediatik, ka shpërndarë njoftime për konkurs drejtori auditi të brendshëm në katër gazeta (shih faksimilen e kokës së njoftimit të APD-së në sajtin e vet), duke shkelur kriterin ligjor të tirazhit.
Tirazhet
Duke përjashtuar “Panoramën”, të tjerat janë poshtë tirazhit të “Ditës”, “Shekullit”, “Sot-it”, “Telegrafit”, “Shqip-it”, “shqiptarja.com-it”. Bie në sy që tre të përditshme që ka qejf Ilir Meta, janë afër PD-së (“Panorama”, “Shqiptare” dhe “Mapo”), kurse “Temës”, që duhet t’i bëhet “sevap” me të drejtë, Belortaja nuk e bën për këtë arsye. Me sa duket, Belortaja fsheh frikën që ka një klan durrsak i LSI-së nga publicisti dhe botuesi më autoritar dhe më guximtar aktualisht në Shqipëri, Mero Baze. Fakti i dytë, më i rëndi dhe që Belortaja e bën me ndërgjegje, është se u jepen para publike dy gazetave të një kompanie, “Panorama” dhe “Gazeta shqiptare”.
Diskriminimi i Durrësit
Ndërkaq janë anashkaluar mediet e Durrësit, ku duhet të gjendet dhe drejtori i auditit. Kështu “Bulevard”-i po vazhdon të diskriminohet edhe nga Belortaja i LSI-së, ashtu sikurse vepronte paraardhësi i tij, Eduard Ndreu i PD-së. Nuk po ndalemi dhe në paditurinë gjuhësore të konceptuesit të shkresës, nëpunës shteti.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





