*Vasili: Jemi pro Referendumit nëse opozita nuk jep dakordësinë!
Lëvizja Socialiste për Integrim i është përgjigjur kryeministrit Rama sa i përket ‘vijës së kuqe’ që ai thotë se ka vendosur SHBA dhe BE për reformën në drejtësi.
Në një konferencë për shtyp, nënkryetari i LSI-së Petrit Vasili, tha se vetëm Komisioni i Venecias mund të përcaktojë vijat e kuqe të kësaj reforme. Një ditë më parë, Rama deklaroi se vija e kuqe për sa i përket vetingut nuk ishte hequr nga paneli i tij, por nga SHBA dhe BE.
Në fjalën e tij, Vasili theksoi se është një sukses i madh fakti që opozita deklaron se do ta votojë këtë reformë, ndërsa tha se kërkesa e vazhdueshme e PD-së për moskapjen e institucioneve është parim i saj. Nëse opozita nuk jep dakordësinë, Vasili tha se LSI-a është pro referendumit dhe mbajtjes së tij për reformën.
“Kjo zvarritje është e papranueshme, dhe jo vetëm mund të dështojë të mirat e reformës, por në rast se këto të mira do arriheshin pa opozitën, rrezikonin legjitimitetin e reformës. Është një fakt evident. Opozita është përbetuar politikisht se do ta votojë reformën dhe unë besoj se ky është një sukses, pasi ka pranuar ndryshimin e thellë dhe rrënjësor të sistemit aktual të dështuar të drejtësisë. Dua t’ju rikujtoj se Komisioni i Venecias është i vetmi institucion që mund të përcaktojë standardet ndërkombëtarisht të reformës, apo siç është termi: vijat e kuqe të reformës”, tha Vasili.
Nga ana tjetër, numri dy i LSI-së tha se BE duhet të japë garanci për hapjen e negociatave të anëtarësimit në rast se reforma votohet në mënyrë të njëanshme nga mazhoranca.





