Menjëherë pas miratimit nga ana e qeverisë të projektligjit për Byronë Kombëtare të Hetimit, Lëvizja Socialiste për Integrim ka përshëndetur vendimin. Nënkryetari Petrit Vasili ka thënë se "tashmë radhën e ka miratimi në Kuvend dhe zbatimi i menjëhershëm i ligjit."
"Përshëndesim ligjin për Byronë e Hetimit dhe kërkojmë miratimin sa më parë në Kuvend dhe nisjen menjëherë të zbatimit të tij, – tha Vasili. – Ky është një proces gjithëpërfshirës dhe ne mbështesim këtë frymë bashkëpunimi mes mazhorancës dhe opozitës. Me miratimin e këtij projektligji merr zgjidhje edhe shqetësimi i opozitës. Shpresojmë që kjo frymë e gjetur mes nesh të na shoqërojë edhe për reformën në drejtësi apo çështje të tjera." Gjithashtu Vasili ka ripërsëritur, që ky proces gjithëpërfshirës i dha përgjigje preokupacionit, sensibilitetit në rritje të të gjitha forcave kryesore politike, pra një proces konsensual. "Kjo rrugë konsensualiteti besoj do të jetë edhe ajo rrugë që do na prijë edhe për çështje të tjera, siç është reforma në drejtësi apo reforma të tjera madhore, që kërkojnë një qëndrim konsensual të forcave politike," – shtoi Vasili.





