Pas disa javësh mungese, dy aleatët e majtë, Edi Rama dhe Ilir Meta, kanë rimbledhur njësinë e koordinimit të koalicionit në Vilën 30, në Tiranë, të shoqëruar nga dy kryetarët e grupeve parlamentare. Pas takimit 100 minutësh, Gramoz Ruçi mohon të jetë folur për reformën.
"Reforma në drejtësi ka një kryetar të komisionit atje, nuk ishte takimi për reformën," – tha Ruçi. Por, Petrit Vasili i LSI thotë të kundërtën dhe i kërkon opozitës të heqë dorë nga kushtet e të vijojë dialogun. "Askush nuk mund të bëjë obstruksionizëm të sëmurë apo dialog me kushte përsëri të sëmurë," – tha Vasili.
Pavarësisht se palët që prej ditës së djeshme u vendosën sërish në pozicionet e vjetra larg konsensusit, LSI shfaqet optimiste se palët do ta gjejnë gjuhën e përbashkët përpara vizitës së komisionerit Hahn, më 30 mars.