TIRANE – Kuvendi ka miratuar dje mes polemikash të ashpra, Buxhetin e shtetit për vitin 2013, pavarësisht rezervave të shumta të shfaqura nga opozita. Pas shqyrtimit nen për nën, Buxheti u miratua me 72 vota pro dhe 60 kundër, duke hedhur poshtë edhe një seri amendimesh të propozuara nga deputetët e së majtës. Votë pro Buxhetit dhanë edhe deputetët e LSI-së për shkak se kërkesa e tyre për shtim të fondeve për Qarkun e Beratit u mor parasysh. Konkretisht në buxhetin e ministrisë së Transporteve u planifikuar një fond në vlerën 500 milionë lekë për sistemimin e aksit rrugor Lushnjë-Berat-Çorovodë, duke marrë kështu në konsideratë kërkesën e grupit parlamentar të LSI-së. Më herët kreu i kësaj partie, Ilir Meta, kritikoi qeverinë për politika diskriminuese ndaj Beratit. Ndërkohë që deputeti i LSI-së, Nasip Naço paralajmëroi votë kundër Buxhetit në rast se fondet për këtë Qark nuk do të rritesh. “Presioni” i LSI-së detyroi dje qeverinë të merrte parasysh kërkesa e tyre.

Ndërkohë Partia Socialiste, sikundër kishte paralajmëruar votoi kundër Buxhetit 2013, duke e cilësuar atë si jorealist, të rrezikshëm, deri edhe antikushtetues. Gjatë seancës, të majtët propozuan një seri amendimesh, një ndër të cilët synonte t’i jepte Bankës së Shqipërisë detyrën e kontrollit dhe llogaritjes së nivelit të borxhit publik. Deputetja Mimi Kodheli i kërkoi gjithashtu qeverisë të mos i përdorë për qëllime elektorale të ardhurat që do të arkëtojë nga privatizimi i “Albpetrol”-it, por të jetë parlamenti ai që do vendosë si do shpenzohet kjo shumë. “Financat publike janë sot në ditët më të këqija, edhe menaxhimi i tyre është në ditët më të këqija”, – tha gjatë fjalës së saj, Mimi Kodheli, duke e cilësuar Buxhetin e vitit 2013, çmenduri fiskale. 
 

Amendimet 

Deputetët e opozitës propozuan amendamente për disa prej neneve të Buxhetit, të cilat kishin të bënin kryesisht me mënyrën si menaxhohen të ardhurat nga privatizimi i “Albpetrol”-it, për shpërndarjen jo të qartë të shpenzimeve të çdo ministrie, për mënyrën e shpërndarjes së fondeve ndaj pushtetit vendor ku penalizohen të majtët, për fondet jo të qarta për ndërtimin e rrugëve, si dhe me administrimin e borxhit publik. Teksa propozoi amendimin, përmes të cilit t’i kalohej Bankës së Shqipërisë e drejta për llogaritjen dhe monitorimin e borxhit publik, Kodheli argumentoi se heqja e tavanit është shumë e rrezikshme për ekonominë e vendit dhe jashtë kontrollit të qeverisë. “Më së pari, Kuvendi duhet të monitorojë këtë situatë të vështirë financiare. Duhet të gjejmë mekanizma të tjerë të pavarur për të vënë nën mbikëqyrje këtë qeverisje. BSH të detyrohet me ligj të njoftojë në çdo rast kur qeveria shkel kufirin ligjor”, – tha Kodheli. Nga e djathta u argumentua se kontrolli i deficitit buxhetor nga ana e Bankës Qendrore është tipar i shteteve totalitare. “Ka qenë një kohë kur borxhi e deficiti buxhetor mbahej nga Banka Qendrore, në regjimin totalitar. Detyra e Bankës është të garantojë stabilitetin e çmimeve dhe të mbikëqyrë sistemin bankar. BSH i ka kryer më së miri, pasi kemi nivelin më të ulët të inflacionit dhe asnjë para publike nuk u përdor për sistemin bankar”, – tha ministri Bode. 
 

Të ardhurat nga “Albpetrol” 

Objekt debatesh në seancën e djeshme parlamentare kanë qenë edhe të ardhurat që do të futen në arkën e shtetit nga privatizimi i shoqërisë “Albpetrol”. Sipas deputetes Mimi Kodheli, është e papranueshme që këto të ardhura të mos shkojnë për të mirën e qytetarëve por të përdoren për qëllime elektorale. “Kjo për opozitën është antikushtetuese. Paratë e privatizimit të “Albpetrol”-it janë të qytetarëve. Kjo qeveri duhet të marrë miratim në Kuvend se si dhe ku do shkojnë këto para. Eksperienca na mëson se djalli fshihet pas detajeve, prandaj themi që këto të ardhura do shkojnë për asfalt dhe makijazh elektoral, nuk do ulin varfërinë, për aq kohë sa neni 9 do vazhdojë të jetë i shkruar siç është”, – tha Kodheli.