27 tetor 2015 – Ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu, ka zhvilluar një vizitë në burgun e Spaçit. Në faqen zyrtare të ambasadës në “Facebook”, diplomati amerikan ndan me ndjekësit përshtypjet e kësaj vizite dhe një detaj nga jeta e tij personale. Ai u bën thirrje të rinjve shqiptarë të njihen me historinë e njerëzve që luftuan dhe kontribuuan për liritë që ne gëzojmë sot.

“Sot, së bashku me kolegët e mi, vizituam burgun e Spaçit, ku mbetëm të tronditur nga ironia e përplasjes së dëshmisë të brutalitetit njerëzor me bukurinë e peizazhit mahnitës malor të kësaj zone.

Vizita në burgun e Spaçit është një dëshmi e gjallë e sakrificave të atyre njerëzve që luftuan për liri dhe kundër tiranisë, dhe që shpesh humbën jetën gjatë kësaj përpjekjeje. Ne patëm fatin të kishim tre njohës të mirë të zonës, të cilët na rrëfyen historitë e atyre që jetuan dhe humbën jetën këtu – Gjet Gjoni, guida jonë vendase, si dhe Nedi Pjetri dhe Jonathan Eaton nga Shoqata e Trashëgimisë Kulturore pa Kufij.

Dje, unë kisha nderin të takoja Fabian Katin, i cili ka qenë i dënuar politik në Spaç në mesin e viteve ’80. Z. Kati ia ka përkushtuar jetën e tij qëllimit për të mos e lënë në harresë tragjedinë e Spaçit. Ai së bashku me ish-të burgosur politikë të tjerë në Spaç, po punon për të ndërtuar një muze në ish-burgun komunist, në mënyrë që edhe brezat e ardhshëm të njihen me këto histori të rëndësishme. Gjithashtu, ai ka bërë disa filma dokumentarë dhe ka shkruar libra mbi ata që u zhdukën dhe ata që i mbijetuan kësaj përvoje çnjerëzore.

Stërgjyshja ime vdiq në një burg komunist në Kinë. Ajo u arrestua ndërsa ndihmonte familjet e tjera për t’u arratisur nga Kina gjatë revolucionit të Maos në 1947. Sot, unë përkujtoj stërgjyshen time, mijëra shqiptarë, dhe njerëz të panumërt kudo në botë, që luftuan për liritë që ne kemi sot.

Në oborrin e Ambasadës sonë ndodhet një pemë manjole, e mbjellë nga punonjësit tanë. Nën këtë pemë, është një pllakatë, ku është gdhendur një citim i Maya Angelou, i cili thotë, “Historia, pavarësisht dhimbjes së saj therëse, nuk mund të zhbëhet, por nëse përballohet me kurajë, nuk ka pse të përjetohet sërish.”

Unë dua t’i nxis të gjithë të rinjtë shqiptarë që të vizitojnë Spaçin dhe të njihen me historitë e atyre shqiptarëve guximtarë që mbijetuan apo humbën jetën në këtë vend. Shumë shpejt, do të jetë përgjegjësia juaj që këto histori t’ua ritregoni fëmijëve tuaj”, shkruhet në faqen e ambasadës.

/portali DurresLajm/