Durrësi u kthye në kryeqytetin jo vetëm të turizmit por edhe të fëmijëve nga shumë vende të Botës në këtë sezon veror. "Fest Loja", festivali i shpalosjes së vlerave folkloristike që trashëgohen brez pa brezi, solli në Durrës vlerat më të mira folkloristike që trashëgojnë të gjithë vendet e rajonit si pasuri e çmuar kombëtare e popujve.

Një sukses i radhës u konsiderua festivali "Fest Loja" me pjesmarrje të 30 grupeve të fëmijëve nga 30 vende të ndryshme të rajonit. Në aktivitet përveç shumë grupeve nga qytete të ndryshme të vendit kanë marrë pjesë grupet nga Serbia, Kosova, Bonjë-Hercegovina. Mali i Zi, Ukraina etj.

Grupet pjesëmarrëse të fëmijëve kanë prezantuar para publikut dhe jurisë në Durrës, këngë valle e lojra në instrumente nga shtetet që përfaqësonin. 14 vajzat e djemtë e ndarë në 7 çifte, kanë treguar një klas të lartë në performancën e tyre duke bërë diferencën me grupet pjesëmarrëse.   

Rreth 400 fëmijë e 150 mësues e kujdestarë të tyre për tre ditë me radhë kanë shpalosur folklorin e tyre nëpërmjet këngëve e valleve popullore, në skenën e ngritur para sheshit "Liria" në pallatin e kulturës "Aleksandër Moisiu".

Fëmijët gjatë qëndrimit në Durrës kanë zhvilluar edhe aktivitete sportive e argëtuese në plazhin e Durrësit ndërsa në mbrëmje riktheheshin në skenë. Me çmime janë nderuar disa grupe pjesëmarrëse ndërsa certifikata vlerësimi u janë dhënë grupeve nga Ukraina, Bosnjë Hercegovina, etj.

K.H.