Edicioni i XXV i Festivalit Ndërkombëtar të valleve dhe lojëra popullore për fëmijë “Luajmë dhe vallëzojmë” ka ndezur atmosferën në shëtitoren “Taulantia” në Durrës.
Grupet e fëmijëve nga vendet e rajonit por edhe më gjerë si Kosova, Mali i Zi, Bosnje Hercegovina, Turqia, Ukraina, Bullgaria, Rumania dhe Maqedonia e Veriut krijuan një atmosferë të vërtetë festive për të dytën natë radhazi në shëtitoren më të frekuentuar të qytetit bregdetar.
Tradita e bukur e krijuar nga ky festival, të organizuar nga Qendra Kulturore e Fëmijëve Durrës, që ka startuar për herë të parë në vitin 1998, vazhdon të mbledhë çdo vit në qytetin 3000-vjeçar me qindra fëmijë nga shtete të ndryshme të botës, të cilët shpalosin para artdashësve më të mirën nga folklori i vendeve nga vijnë.