Tërmeti 6.4 ballsh që goditi vendin tonë mëngjesin e 26 nëntorit, solli pasoja katastrofike dhe një traumë të madhe për popullin. Solidarizimi ka qenë shumë i madh nga shtete, bota e artit dhe e sportit. Shumë klube, Federata dhe lojtarë, kanë mbështetur familjet e prekura nga tërmeti, duke ndihmuar sado pak.
Së fundmi në Rumani, në ndeshjen mes Konkordia dhe Rapid Bukureshtit, e vlefshme për kampionat, lojtarët kanë luajtur me shirit të zi dhe kanë bërë një ceremoni prekësë në nisje të sfidës, për të prekurit nga tërmeti në vendin tonë, siç bën me dije Ambasadori i Shqipërisë në Rumani, z. Ilir Gjata.
Ja çfarë shkruan z. Gjata:
“Sërish i impresionuar dhe plot emocione nga solidariteti Rumun në këto ditë të vështira për popullin Shqiptar. Mirënjohje mikut tim Dan Tudorache, Kryetar i Bashkisë së Sektorit 1 të Bukureshtit, i cili pranoi që të organizonim, së bashku edhe me kolegen e sopranon e mirënjohur Arlinda Morava këtë ceremoni prekëse në fillim dhe në fund të ndeshjes Concordia Chiajna – Rapid Bukuresht. Ndërkohë që gjatë gjithë ndeshjes futbollistët mbajtën një shirit me flamurin Shqiptar. Falenderim dhe mirënjohje e veçantë për klubin e futbollit Rapid i Bukureshtit”.





