Tjetër dënim për Sandro Tonalin. Këtë herë nga Federata Angleze e Futbollit, që ka ndëshkuar mesfushorin italian për përfshirje në baste sportive në periudhën 12 gusht-13 tetor të vitit të kaluar. FA provoi se Tonali ka luajtur të paktën 50 baste sportive për shifrën e 100 mijë paundëve gjatë kohës që aktivizohej me Newcastle në Premier League dhe për këtë shkelje e dënoi mesfushorin italian me dy muaj pezullim dhe 20 mijë paundë gjobë. E nëse gjobën do të duhet ta paguajë menjëherë, Tonali do të ketë një shans t’i shpëtojë pezullimit, pasi dënimi dy mujor është me kusht deri në fund të sezonit të ardhshëm dhe do të hyjë në fuqi, vetëm nëse mesfushori përsërit sërish të njëjtën shkelje.

Në këtë mënyrë Tonali pritet të rikthehet në fushë në fund të muajit gusht, kur edhe të ketë shlyer pezullimin 10-mujor që i dha Federata Italiane e Futbollit, pikërisht për përfshirje në bastet sportive, gjatë kohës që luante me Milanin në Serinë A. Tonali u transferua te Newcastle verën e 2023-shit për shifrën e 70 milionë eurove, por luajti më pak se dy muaj me klubin anglez, pikërisht për shkak të pezullimit për përfshirjen në bastet sportive, diçka rreptësisht e ndaluar për futbollistët profesionistë.