Është e nevojshme një paketë me masa lehtë suese për ato biznese që pranojnë praktikantë nga shkollat e arsimit profesional, në mënyrë që praktikat të mos bëhen sa për të kaluar radhën”. Kërkesa vjen nga presidenti i “Biznes Albania”, Luan Bregasi, i cili përmes një interviste dhënë për “Gazeta Shqiptare” bën me dije se duke filluar nga muaji shtator, nuk do të hapet asnjë kurs profesional pa marrë miratimin e biznesit. “Sfida jonë është përputhja e kurrikulave shkollore me tregun e punës”, thotë ndër të tjera kreu i “Biznes Albania”.
Z. Bregasi, nga statistikat që ju dispononi, sa është numri i bizneseve që kanë pranuar praktikantë nga shkollat e arsimit profesional?
Duke qenë se përfaqësues të biznesit janë pjesë e bordeve të shkollave profesionale, këtë vit shkollor arritëm të bënim të mundur që 30 për qind e mësimit të ishte praktikë. Këta biznesmenë kanë mundësuar praktika jo vetëm në bizneset e tyre, por edhe në të tjera ndërmarrje private. Në të gjithë vendin mund të jenë mbi 150 biznese të ndryshme, që kanë pranuar nxënës dhe ne synojmë që vitin e ri shkollor të bëhet e mundur që 40% e mësimit të jetë praktikë dhe 60% teori. Vetëm në Tiranë numri i tyre arrin më mbi 50 ndërmarrje private, duke filluar që nga bankat, shoqëritë e sigurimit, ndërmarrje prodhimi, etj.
Shpeshherë nxënësit e shkollave profesionale shikohen si ‘barrë’ nga biznesi. A keni kërkuar ju incentiva fiskale në këmbim të ofrimit të praktikave?
Kjo ishte një nga pikat e diskutuara me ministrin e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Blendi Klosi gjatë takimit që patëm ditën e djeshme. Patjetër që duhet të caktohen disa lehtësi, në mënyrë që edhe praktika profesionale të mos bëhet sa për të kaluar radhën.
Çfarë kërkesash keni ju konkretisht në këtë drejtim?
Përjashtim, apo reduktim taksash për shembull? Fillimisht ne kërkojmë përjashtimin nga sigurimi të nxënësve që kryejnë praktikën pranë biznesit. Sigurisht që nevojiten edhe lehtësi fiskale për këto biznese. Duhet një paketë stimuluese, ndihmëse masash, por ende nuk kemi një propozim konkret.
A u përkrah kjo kërkesë nga ministri?
Po, edhe ministri u shpreh dakord për të ndërmarrë një hap të tillë.
Një nga problemet që ngre shpesh biznesi është mungesa e profesionistëve. Çfarë sugjeroni ju në këtë drejtim?
Ne po i mëshojmë fort faktit të përputhjes së kurrikulave me tregun e punës dhe kjo është sfida më e madhe që kemi. Kjo nuk është një punë e lehtë, por kërkon reformim të arsimit profesional. Për shembull, tregu i punës mund të mos ketë nevojë për mekanikë apo për parukierë, por shkollat apo qendrat e formimit profesional vazhdojnë të nxjerrin, duke prodhuar diploma të pavlefshme. Për këtë arsye tashmë do të jetë biznesi, ai që do të japë miratimin nëse një kurs profesional do të hapet apo jo. Pra, do të jetë biznesi ai që do të përcaktojë profilet që do të hapen në Qendrat e Formimit Profesional.
Kur do të fillojë të aplikohet kjo praktikë?
Do të fillojmë që në shtator të këtij viti./Gazeta Shqiptare





