Kreu i PD-së dega Durrës, Luan Hoti ka publikuar pamjet gjatë një aksioni nga IKMT që po zhvillohet sot në Romanat ku po hapet rruga në pronën e disa banorëve, dhe sipas tij po ndodh një akt i paprecedent dhe i jashtëligjshëm. Në pamje duken dy të moshuar që shoqërohen nga uniformat blu në furgonin e policisë, por ky veprim sipas Hotit përbën një dhunim flagrant të të drejtave themelore të qytetarëve.
“Hapja e rrugës në pronën e banorëve është e kundraligjshme pasi është në proces gjyqësor. Këto janë veprime të orkestruara për të vjedhur zgjedhjet dhe për të terrorizuar qytetarët me qëllim manipulimin politik”, thekson demokrati.
Hoti akuzon Drejtorin e IKMT-së, Dorian Mema, që sipas tij ka qenë vazhdimisht në qendër të akuzave për keqmenaxhim dhe për tolerimin e ndërtimeve pa leje, duke përdorur pushtetin për të mbrojtur interesa kriminale dhe për të ushtruar dhunë ndaj qytetarëve. Po ashtu, akuza Hoti hedh edhe ndaj Kryeinspektorit të IKMT-së, Klajdi Lame i cili është akuzuar për shtrembërim të fakteve dhe bashkëpunim në vendime të jashtëligjshme, duke dhunuar të drejtat e qytetarëve dhe duke favorizuar grupe të caktuara kriminale.
Për më shumë ndiqni videon më poshtë dhe reagimin e plotë të Hotit në “Facebook”:
REAGIMI I LUAN HOTIT:
I bëjmë thirrje urgjente këtyre banditëve të veshur me uniforma zyrtare, që të ndalin menjëherë dhunën dhe presionin ndaj qytetarëve në prag të zgjedhjeve! Vendosmëria për të mbrojtur të drejtat dhe pronën e qytetarëve është e palëkundur, dhe i garantojmë të gjithë qytetarët e ndershëm se këta individë të korruptuar nuk do t’i shpëtojnë drejtësisë.
Aksioni kriminal që po zhvillohet në Romanat, Durrës, është një akt i paprecedent dhe i jashtëligjshëm. Hapja e rruges ne pronen e banoreve eshte e kundraligjshme pasi eshte ne proces gjyqësor, dhe çdo veprim i ndërmarrë pa përfundimin e procedurave ligjore përbën një dhunim flagrant të të drejtave themelore të qytetarëve. Këto janë veprime të orkestruara për të vjedhur zgjedhjet dhe për të terrorizuar qytetarët me qëllim manipulimin politik.
Drejtori i IKMT-së, Dorian Mema, ka qenë vazhdimisht në qendër të akuzave për keqmenaxhim dhe për tolerimin e ndërtimeve pa leje, duke përdorur pushtetin për të mbrojtur interesa kriminale dhe për të ushtruar dhunë ndaj qytetarëve.
Po ashtu, Kryeinspektori i IKMT-së, Klajdi Lame është akuzuar për shtrembërim të fakteve dhe bashkëpunim në vendime të jashtëligjshme, duke dhunuar të drejtat e qytetarëve dhe duke favorizuar grupe të caktuara kriminale.
Këta persona po përdorin pozitat e tyre publike për të kryer veprime të rënda që bien ndesh me ligjin dhe me detyrimet e tyre si shërbëtorë të qytetarëve. Shkeljet e tyre nuk janë vetëm ligjore, por edhe morale, duke dëmtuar rëndë besimin e publikut te institucionet.
Sikurse kemi premtuar, të gjithë ata që përdorin pushtetin shtetëror për të dhunuar qytetarët dhe për të abuzuar me detyrën e tyre, do të shënohen në librin e zi. Do të mbajnë përgjegjësi të plotë për aktet e tyre dhe nuk do t’i shpëtojnë kurrë përballjes me drejtësinë.
Ky është një moment kritik për të mbrojtur të drejtat dhe të ardhmen e qytetarëve shqiptarë. Askush nuk është mbi ligjin dhe çdo abuzues do të përballet me drejtësinë!