Kandidati i PD zyrtare për bashkinë e Durrësit, Luan Hoti ishte i ftuar sot në studion e Rudina Magjistarit, ku foli për zgjedhjet e parakohshme lokale, por edhe për disa aspekte më private nga jeta e tij.
Në krah të Hotit ishte bashkëshortja, ndërsa portreti i familjes u plotësua kur dy fëmijët i bënë një surprizë pak minuta para përfundimit të emisionit.
I pyetur nga Rudina, Hoti ka treguar takimin e parë me bashkëshorten e tij, Shpresën, me të cilën kanë ndarë bashkë 23 vite tashmë.
“Jemi njohur në Tiranë, në ditëlindjen e djalit të dajës së Shpresës, unë e kam pasur dhe e kam mik shumë të mirë. Në 40-vjetorin e tij lindën shkëndijat e para”, tha ndër të tjera Hoti, ndërsa bashkëshortja theksoi se pëlqente tek ai “shpirtin e pastër, zemërgjerësinë, vendosmërinë për punën”.
Duke folur për fushatën e tij elektorale dhe zgjedhjet e 6 marsit, Luani thotë se gjithmonë ka premtuar gjëra të realizueshme dhe që në optikën e tij i mungojnë Durrësit, duke përmendur lulishtet, kënde lojërash për fëmijët dhe zgjidhjen e problemit të mbetjeve urbane.
“Të dalin të votojnë për qytetin tonë, për të ardhmen e qytetit tonë. Për ta bërë atë qytet më të jetueshëm, më të pastër dhe të bukur ashtu siç e ka bekuar Zoti”, apeloi Hoti në përfundim të intervistës./K.Gj/DurrësLajm